Parlamenti grek ka votuar me 153 vota pro Marrëveshjen e Prespës, dhe 146 vota kundër. Tashmë Maqedonia do të ketë emrin Maqedonia e Veriut.
Një ditë më parë debate të zjarrta përfshinë Parlamentin grek lidhur me marrëveshjen e Prespës, për emrin e ri të Maqedonisë, dhe për këtë arsye votimi është shtyrë për këtë të premte. Në Parlament nuk munguan as përplasjet dhe akuzat për tradhti kombëtare.
Ndërkohë që deputetët e opozitës konservatore akuzojnë maxhorancën se ka shitur sovranitetin e vendit, pasi mendojnë se marrëveshja është e dëmshme për interesat kombëtare greke.
Por qeveria nga ana e saj thotë se kjo marrëveshje mbyll përgjithmonë zërat irrendentiste në vendin fqinj.
Por krahas debateve në parlamentin grek, përplasje kishte dhe në sheshin Sintagma të Athinës, si dhe në qendër të Selanikut, ku policia bllokoi rrugët që të çonin drejt sallës së Parlamentit duke shoqëruar një sërë personash me sende të dyshimta. Por pavarësisht kësaj një grup personash sulmuan policinë në rrugën “Amalia”, ndërsa policia u përgjigj me gaz lotsjellës.
