Merkato sapo ka nisur, por është thuajse e sigurt se ky këmbim do të jetë më i bujshmi i kësaj vere. Para pak çastesh Barcelona njoftoi shitjen e Artur Melos te Juventusi dhe tani ka ardhur koha të zyrtarizohet ardhja e Miralem Pjaniç në “Camp Nou”.
Boshnjaku do të lërë Juventusin në fund të këtij sezoni dhe do i bashkohet Mesit me shokë për shifrën e 60 milionë eurove, plus 5 të tjerave në formë bonusesh në varësi të paraqitjeve të lojtarit. Siç bëhet me dije, brenda katër orëve të ardhshme Pjaniç do të firmosë kontratën e re, e cila do e mbajë ballkanasin në Katalonjë deri në verën e vitit 2024. Klauzola e 30-vjeçarit do të jetë plot 400 milionë euro, çka tregon edhe vlerësimin e klubit për të.
Pjaniç largohet pas katër vitesh te Juventusi, ku fitoi gjithçka brenda kufijve të Italisë, por i mungoi një Champions, të cilin tani dëshiron ta fitojë si katalanas. Në të shkuarën mesfushori është aktivizuar me Metz, Olimpik Lion dhe Romën. Ai është një prej lojtarëve më të mirë të kombëtares së Bosnjes.