Sot në orën 17:00 ka seancë plenare dhe deputetët rikthehen dy javë pas kaosit të fundit. Ndonëse e fundit nuk u zhvillua, për shkak të vendimit të opozitës për të shkaktuar kaos dhe për të bllokuar punimet e Kuvendit, deri në plotësimin e kërkesave të saj, ligjvënësit do të rikthehen për të diskutuar, sipas rendit të ditës për 4 orë, problematikat e zgjedhësve. Por njëjtë si seanca e fundit, edhe seanca e së hënës, pritet të zhvillohet me përplasje mes opozitës dhe maxhorancës.
Për shkak të kaosit që krijuan, 23 deputetë të opozitës, rezultojnë të përjashtuar. Me kërkesë të deputetëve socialistë, mes të përjashtuarve janë kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi si dhe kreu i Rithemelimit Sali Berisha.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi deklaroi një ditë më parë se të përjashtuarit do të jenë në Kuvend, pasi sipas tij, afati për përjashtimin me 10 ditë, përfundon më 29 tetor, dhe jo më 30, sikurse thuhet në vendimin e vulosur me votat e socialistëve në Sekretariatin e Etikës. Më herët, këtë e konfirmoi përmes një statusi në rrjetet sociale, edhe një tjetër prej të përjashtuarve Saimir Korreshi.
