Gjermania dhe WBIF mbështesin përmirësimin e konvikteve të studentëve të Qytetit Studenti me një investim prej 26 milionë eurosh.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj dhe drejtoresha e Zyrës së KfW-së në Tiranë, Brit Horschke nënshkruan sot marrëveshjet për projektin ‘Rehabilitimi i Konvikteve të Qytetit Studenti I sipas Parimit të Eficencës së Energjisë‘ me një vlerë prej 21 milionë eurosh, shumë e dhënë kjo nga Qeveria Federale Gjermane përmes KfW-së, së bashku me një marrëveshje granti prej 4.78 milionë eurosh të dhënë nga Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF), njoftoi ambasada e Gjermanisë në Tiranë.
Këto fonde u shtohen fondeve grant prej 9.4 milionë eurove të dhëna tashmë nga Qeveria Gjermane përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) për të njëjtin qëllim.
Projekti përfshin rehabilitimin sipas parimit te eficencës së energjisë të konvikteve dhe ndërtimin e të paktën 3 godinave të reja bazuar mbi Master Planin e Qytetit Studenti I. Rehabilitimet do të bazohen tek auditet stukturale të energjisë së 19 konvikteve që do të bëhen gjatë ‘Programit për Rehabilitimin e Konvikteve të Qytetit Studenti I sipas Parimit të Eficencës së Energjisë‘.
Qëllimi i projektit është të rrisë eficencën e energjisë në ndërtesat e përzgjedhura – konsumi i energjisë elektrike do të ulet me 20% mesatarisht në krahasim me nivelet e konsumit para rehabilitimit. 3 godinat e reja do të jenë ndërtime me energji të ulët.
Të promovojë infrastrukturën sociale për studentët e paprivilegjuar – minimalisht 70% e kapacitetit të konvikteve të rehabilituara do të përdoren nga studentë me të ardhura më të ulëta se 108 euro.
Në Shqipëri, KfW-ja zbaton bashkëpunimin financiar dhe siguron grante dhe kredi të buta për investime kyçe në infrastrukturë dhe shërbime konsulence që lidhen me projekte të ndryshme. Që nga ai vit Qeveria Gjermane ka angazhuar një shume totale prej mbi një milliardë euro për projekte dhe programe zhvillimi. Sektori i energjisë është një nga sektorët kyç të Bashkëpunimit Financiar Gjermani – Shqipëri, për të cilin Qeveria Gjermane ka angazhuar më shumë se 501 milionë euro, që nga viti 1988.
Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF) është një skemë financimi, e cila u iniciua në dhjetor të vitit 2009 nga Komisioni Evropian (KE) së bashku me Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës (BZhKiE), Bankën Evropiane të Investimeve (BEI), Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), donatorë bilateral dhe vende të Ballkanit Perëndimor me qëllimin e dhënies së fondeve për projekte investimesh strategjike në vendet përfituese. KfW-ja dhe Banka Botërore i janë bashkuar WBIF-së. Në dhjetor 2018 Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD) u bë një organizatë pjesëmarrëse e WBIF-së.
