Për teknikët e imazherisë, laboratorit dhe mami-të, provimet për licencat e reja profesionale do të zhvillohen përgjatë muajit janar 2022.
Ndërkohë që deri në mbyllje të këtij muaji, testimi për lejet e reja të ushtrimit të profesionit do të vijojë me kandidatët që po garojnë në profilin e infermierisë.
Qendra e Shërbimeve të Arsimit bën me dije se në tre profilet: Mami, Teknik imazherie dhe Teknik laboratori janë 390 kandidatë, që do të konkurojnë nëpërmjet provimit të shtetit për të siguruar licencën profesionale, çka më pas i hap udhë punësimit në strukturat mjekësore publike dhe private në vend.
Sipas kalendarit të përcaktuar, në datën 6 janar do të zhvillohet provimi i shtetit për 74 kandidatët që konkurojnë në profilin Teknik laboratori, në datën 7 janar për 71 kandidatët që garojnë në profilin Teknik imazherie, si dhe në datat 10-11 janar për 245 kandidatët e profilit Mami. Për secilin kandidat që është pjesë e listës së publikuar në vijim të shkrimit, janë detajuar tashmë data dhe ora specifike se kur duhet të paraqiten në ambientet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit për të zhvilluar provimin e shtetit. Ekspertët këshillojnë çdo kandidat të listës të vlerësojnë me kujdes oraret e përcaktuara specifikisht për ta, pasi në të kundërt nuk do të mund të japin provimin në një tjetër afat përgjatë këtij sezoni.
Sa i takon rregullave të përcaktuara, në ditën e provimit kandidati duhet të paraqitet pranë Qendrës së Shërbimeve të Arsimit 30 minuta përpara orarit të nisjes së provimit, teksa duhet të jetë i pajisur me Kartë ID ose Pasaportë (dokumenti origjinal) dhe kopje të tyre, faturën origjinale me vulën përkatëse të pagesës së tarifës së provimit të kryer në një bankë të nivelit të dytë bazuar në herën e pjesëmarrjes, si dhe mjetet mbrojtëse ndaj Covid-19. Mungesa e një prej këtyre dokumenteve ju penalizon duke ju lënë jashtë testimit, çka do të thotë se duhet të prisni sezonet e tjera të vitit të ardhshëm për të hyrë sërish në testin e licencës, duke humbur kështu shanset për të aplikuar përgjatë kësaj periudhe për vendet e lira të punës në spitalet dhe qendrat mjekësore publike dhe private në vend. Për të qenë kalues në këtë provim duhet të siguroni mbi 50 pikë me përgjigjet e dhëna.
Në kuadër të situatës së krijuar nga pandemia Covid-19 dhe në vijim të masave parandaluese të përhapjes së tij, nëpërmjet urdhrave të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, provimet do të zhvillohen duke zbatuar me përpikmëri rregullat e rekomanduara që kanë të bëjnë me mbajtjen e distancës fizike, kujdesin për higjienën, si dhe mbajtjen e detyrueshme të maskave mbrojtëse.
“Në lidhje me zbatimin e rregullave anti-Covid, gjatë paraqitjes për pjesëmarrje në provim, kandidati gjithashtu duhet të ketë parasysh që të jetë i pajisur edhe me mjetet mbrojtëse, maskë dhe doreza plastike, të zbatojë ruajtjen e distancës fizike 1,5-2 metër nga kandidatët e tjerë, të ketë me vete stilolaps për nënshkrimin e deklaratës dhe rezultatit të provimit, si dhe të mos ketë me vete celularë, çantë dhe sende të tjera personale të panevojshme për zhvillimin e provimit”, sqarojnë autoritetet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit.
Në ndihmë të kandidatëve që do testohen në këto tre profile përgjatë këtij sezoni, Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka detajuar edhe fondin e mijëra pyetjeve nga të cilat do të përzgjidhen edhe pyetjet që do të jenë pjesë e tezës së provimit të licencës. Kështu, çdo kandidat mund të orientohet rreth përmbajtjes që do të ketë testi i licencës, duke u njohur me fondin e detajuar të pyetjeve që gjendet në faqen online të Qendrës së Shërbimeve të Arsimit.
