Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike, Gjovalin Loka paralajmëroi jo vetë lokalet që nuk respektojnë ligjin për muzikën e lartë, por edhe institucionet përgjegjëse për zbatimin e ligjit.
“Policia e Shtetit apelon për të gjitha institucionet që kanë detyrime në kuadrin e Task – Forcës, që të ushtrojnë kompetencat e tyre ligjore dhe të marrin masa të menjëhershme për disiplinimin e nivelit të zhurmave, duke iu përgjigjur në kohë shqetësimit të qytetarëve, në të kundërt do të merren masa jo vetëm ndaj subjekteve që krijojnë ndotje akustike, por dhe ndaj përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse, që nuk përmbushin detyrimet”, tha Loka në një dalje për mediat.
Në kuadër të masave për sezonin turistik veror të këtij viti, por dhe ankesat e qytetarëve gjatë qershorit për muzikën e lartë deri në orët e para të mëngjesit, jo vetëm në plazhe por dhe në zona urbane, policia e shtetit ju bën thirrje të gjitha subjekteve që ushtrojë biznes disko, lokale nate, apo me muzikë “LIVE”, që të respektojnë në mënyrë rigoroze kufizimet e orareve dhe të ndotjes akustike në mjedis sipas përcaktimeve të bëra në aktet ligjorë që janë ora 23:00 në ditët e javës dhe ora 24:00 në fundjavë.
“Policia e Shtetit do të ushtrojë kontroll të pandërprerë dhe do të marrë masa të menjëhershme në funksion të shqetësimeve të ngritura nga qytetarët dhe pushuesit në zonat bregdetare e ato urbane, duke ndëshkuar sipas akteve ligjore në fuqi, çdo subjekt që gjeneron zhurmë tej normave të lejuara”, tha ai.
