Dy adoleshentë janë arrestuar nga policia e Durrësit pasi kanë krijuar panik tek banorët teksa kanë qëlluar në ajër me armë zjarri në mesnatë.
Ngjarja ka ndodhur në Manëz të Durrësit, ku qytetarët kanë lajmëruar menjëherë policinë. Kjo e fundit mbërriti në vendngjarje duke arrestuar në flagrancë dy të rinjtë.
Njoftimi i policisë:
Qëlluan me armë zjarri në ajër në mesnatë, duke krijuar panik tek banorët, arrestohen në flagrancë nga Policia, dy adoleshentët.
Sekuestrohet një armë zjarri pushkë dhe fishekë
Shërbimet e Postës së Policisë Manëz, falë informacionit të qytetarëve dhe reagimit në kohë, kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve:
K.N., 18 vjeç dhe D.S.,17 vjeç, banues në fshatin Rrushkull.
Arrestimi i tyre u bë pas informacioneve të marra nga qytetarët se këta shtetas në fshatin Rrushkull, ishin duke qëlluar me armë zjarri në ajër duke krijuar panik te banorët.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Durrës për veprën penale ” Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”
