Policia e Shkodrës ka arrestuar autorin e atentatit të Syri Mehmedaj tri vite më parë në këtë qytet. Sipas policisë në pranga është vënë S.D., 30 vjeç.
“Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në vitin 2017, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vrasje me paramendim, mbetur në tentative” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve”. Ky shtetas më datë 26.12.2016, tek rrethrrotullimi në dalje të unazës lindore të qytetit Shkodër, ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin S.M, duke e lënë të plagosur rëndë”, thotë policia në njoftimin e saj.
Por ndërkaq për përkrahje të autorit të krimit është arrestuar edhe A. Ç i cili dyshohet të ketë fshehur 30-vjeçarin.
NGJARJA
Ngjarja ka ndodhur më 26 dhjetor 2016, rreth orës 11.50 kur Syri Mehmedaj nga Shkodra ka mbetur i plagosur rëndë në vendin e quajtur rreth rrotullimi i lagjes “Xhabije”. Ai ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij tip “Benz”, kur një person me motoçikletë dhe me skafandër në kokë ka qëllur tre herë ndaj tij me një pistoletë me silenciator.
Në momentin e plagosjes 44-vjeçari ka qenë duke drejtuar mjetin dhe së bashku me të ishte edhe një person tjetër, i cili pas plagosjes e ka çuar deri në Urgjencën e Spitalit të Shkodrës dhe është larguar menjëherë.
Nga ana e policisë, në bazë edhe të pyetjes së dëshmitarëve, mësohet të kenë thënë se kanë parë vetëm një person me skafandër dhe me një motoçikletë, i cili është afruar tek mjeti dhe më pas është larguar me shpejtësi, por nuk kanë dëgjuar krisma, çka dyshohet se atentatori të ketë përdorur pistoletë me silenciator.
Bazuar në dëshmitë e njerëzve të pranishëm, policia ka mësuar se atentatori ka qenë një person i vetëm që i është afruar mjetit të Mehmedaj dhe pasi qëlloi ndaj tij u largua me shpejtësi. Policia dyshon se agresori ka përdorur një pistoletë me silenciator, pasi nuk janë dëgjuar zhurma në momentin e ngjarjes.
Sipas policisë, Syri Mehmedaj njihet si një person me precendente të mëparshëm kriminal. Në momentin e atentatit ai kishte vetëm dy muaj që kishte dalë nga burgu, ku ishte dënuar me 1.4 vite burg për vjedhje.
