Nga Renato Totraku
Kur gjendesh në rrethin e Mirditës dhe kërkon të njohësh e të mësosh nga historia e lashtë e në vijimësi, bashkëbiseduesi yt menjëherë, në krye rendit fshatin Malaj. Ky fshat me histori të lashtë e sidomos për kulturën e hershme mesjetare shqiptare ka shërbyer si një pikë referimi ku mbështetet edhe historia e arkeologjisë kombëtare shqiptare. Edhe në periudhat e mëvonshme të mesjetës, deri në ditët tona, ky fshat flet për shumë bëma të lavdishme dhe ka rezervuar pa ndërprerje atdhetarizëm, patriotizëm dhe veprimtari dobiprurëse, për mbarë shoqërinë. Çdo individ, familje, fis e fshat ka historinë e bukur të tij dhe të gjithë së bashku plotësojnë tabllonë e një kulture e historie të lavdishme.
Në këto grupime bën pjesë edhe familja e Preng Ndrec Mollës, e dëgjuar në krahinën e Mirditës. Nga gjiri i saj doli edhe biri i nderuar i Prengës, Ndrec Molla, i cili në vitet e punës e të jetës së tij, ende edhe sot ka lënë një emër për t’u respektuar, për nga kontributet e tij në dobi të zhvillimeve social-ekonomike, kulturore dhe shoqërore. Ndreca u lind më 13 korrik 1933 dhe qe i dyti në radhë, pas vëllait Ndues dhe në vijim erdhën tri motrat radhazi, respektivisht Marta, Prena dhe Dava. Ikja e shpejtë nga jeta e të vëllait, Ndueja 38-vjeçar, për Ndrecën solli përgjegjësinë ndaj familjes edhe si kryefamiljar që i përballoi e i zgjidhi me sukses. Mësimet fillore i kreu në fshatin e tij, Malaj, ndërsa shkollën 7-vjeçare (sot 9-vjeçare) i përfundoi në qytezën e bukur të Rubikut, po me rezultate shumë të mira. Babai, Prenga, dëshironte të arsimonte në nivelin më lart, djalin, por problemet ekonomike nuk ia mundësuan një gjë të tillë.
Pavarësisht kësaj, nevoja e vendit për kuadro dhe specialist të ndryshëm sa më të shumtë e më të shpejtë me cikle të shkurtra kualifikimi, bëri që Ndreca të ndjekë një kurs një vjeçar për infermier në Vlorë, të cilin e përfundoi në vitin 1951. Më pas e plotësoi me kualifikimin e mëtejshëm të tij në shkollën mjeksore 3-vjeçare në Shkodër, duke bërë që profesionalisht të aftësohej në këtë lloj shërbimi. Detyra e infermierit, Ndrecës i dha mundësinë të shërbente në shumë fshatra të Matit e të Mirditës, respektivisht në spitalin e Rubikut, në ambulancën e Shën Palit, në Gjegjan të Pukës, në Perlat etj. Edhe shërbimin ushtarak të detyrueshëm e kreu po në detyrën e infermierit në rrethin e Elbasanit. Pas lirimit nga ushtria punoi po në detyrën e infermierit në disa vende si në Tiranë, në Lurë të Dibrës, në Mbas Dejë (Macukull) e Qafshtamë të Matit, në Orosh e Bulshar të Mirditës. Në vitet 1965 – 1967, për dy vjet punoi në spitalin e Rrëshenit në repartin e pediatrisë, kirurgjisë dhe pathollogjisë. Ndërsa periudha 1967 – 1993, për 26 vjet qe më e bukura e jetës së tij, sepse iu shërbeu bashkëfshatarëve të tij në fshatin Malaj të Mirditës, ku aty dhe doli në pension pleqërie. Këto lëvizje pune, në shumë vende i dhanë Ndrecës një avantazh, ngaqë u njoh me shumë njerëz shumë të mirë, por dhe në nevojë, që iu shërbeu me profesionalizëm e me dëshirë e devocion të lartë, nga ku në marrdhënie të sinqerta me to, mori një kulturë më të gjerë qytetare, të cilën njëkohësisht e rrezatoi edhe në përmbajtjen e shërbimit profesional të tij, saqë në opinionin e gjerë thirrej: “Doktor Ndreca”. Por për shkak dhe të biografisë nga i ati, Prenga, i cili kishte qenë dhe kishte shërbyer në Oborrin Mbretëror si Adjutant, midis viteve 1932 – 1939, politikisht i rënduan shumë. Familjarisht nga viti 1939 deri në vitin 1945, qëndroi në Prizren. Vdekja e babait, Prengës në vitin 1947, me helmim nga organet e sigurimit të shtetit që e tronditi shumë shpirtin e Ndrecës. Sikur të mos mjaftonte kjo, edhe e ëma e tij Dila, e bija e Ndue Nikollit nga Gëziqi i Mirditës, në vitin 1948 burgoset me akuzën se “iu kishte dhënë bukë të arratisurve të malit”. Kjo akuzë i rëndoi edhe vëllait, Ndues, por dhe vetë Ndrecës, i ndodhi në vitin 1954, po me këtë akuzë si dhe nëna e tij. Këto akuza ranë pas një viti, nga ku nisi përsëri jeta e tij si më parë.
Gjatë kohës në punë e në jetë, për gati 42 vite, Ndrec Molla është karakterizuar nga disiplina e lartë dhe nga përkushtimi i madh në punë, nga sjellja e ndershme dhe me kulturë, nga humanizmi i pashoq i tij shumë dimensional. Kjo edhe për faktin se profesioni i tij ishte i lidhur me jetën e njerëzve kundër sëmundjeve vdekjeprurëse në ato vende ku ai shërbeu.
Ndryshimet politike në vend, pas viteve ’90-të të shekullit XX përfshiu edhe veprimtarinë e Ndrecës, për të ndërtuar një demokraci të vërtetë, që e ëndërronte prej kohësh. Në vitin 2014, për arsye familjare e shëndetësore, së bashku me bashkeshorten, emigruan në Lion të Francë tek djali i tyre Leoni , ku atje në saj të shërbimit të duhur mjeksor, shëndeti i Ndrecës u përmirësua shumë, duke u kthyer në normalitet. Këtu në emigrim në Francë, Ndreca, duke patur dhe prirje intelektuale në fushën studimore, shkroi dhe një libër me 419 faqe, me shumë vlerë, me titull “Udha e Brezave”. Lexuesi nga ky libër gjen histori, kulturë, kronika, fjalë të urta të mençurisë popullore, personazhe politike e shtetërore, aspekte të punës e të jetës ndërtimtare, si dhe shumë evente popullore, që lidhen me traditat e viseve ku ka punuar e jetuar. Edhe kur Ndreca po mbush 86-vjeç, ai ndihet krenar për kontributet që ka dhënë, dhe i gatshëm për të ndërmarrë iniciativa të reja në fushën studimore, shkencore, si dhe vazhdimisht përcjell mesazhe pune dhe edukimi e sjellje qytetare për bashkëkombasit tanë.
Për punën e veprimtarinë për më shumë se katër dekada, por edhe gjatë kohës pas daljes në pension, Shoqata e Bashkimit të Përgjithshëm të Pensionistëve të Shqipërisë, dega Mat, i ka akorduar, Ndrec Mollës, Çertifikatën e Mirënjohjes me motivacionin “Për kontribut të çmuar shumëvjeçar në shërbimin shëndetësor; për figurë të pastër morale, shoqërore dhe për sjellje të dënjë qytetare në krahinën e Matit dhe më gjerë”. Për Ndrec Mollën priten vlerësime të tjera nga Bashkia e Dibrës dhe institucionet e tjera.
