Shpesh mendojmë se alergjitë janë rezultat i një fati të pafavorshëm që na është caktuar që në fëmijëri, apo edhe para lindjes. Por, siç shpjegon alergologia Kelly Colas, “çdo person, në çdo moment të jetës, mund të zhvillojë një alergji të re”.
Alergjitë mund të shfaqen në çdo moshë – madje edhe shumë vite pasi një person ka arritur moshën madhore. Këto probleme mund të shfaqen papritur, sikur të vijnë nga hiçi. Por, ndërsa studiuesit po mësojnë më shumë rreth tyre, po identifikojnë një sërë mënyrash të pazakonta dhe befasuese përmes të cilave mund të shfaqen alergjitë e reja – nga pickimet e rriqrave deri te ndryshimet hormonale.
Covid-19, një “çelës ndezës” për alergjitë
Disa njerëz lindin me një predispozitë gjenetike ndaj alergjive. Por, sipas Ruchi Gupta, drejtoreshë e Qendrës për Kërkimin e Alergjive Ushqimore dhe Astmës në Universitetin Northwestern në Illinois, “nuk është gjithçka gjenetike”. Shpesh, thotë ajo, “diçka e ndez atë”.
Një prej këtyre faktorëve mund të jetë Covid-19, i cili mund të lërë gjurmë në sistemin imunitar dhe të lidhet me shfaqjen e alergjive të reja. Një studim i vitit 2026 zbuloi se infektimi me Covid-19 lidhet me një rrezik dukshëm më të lartë për zhvillimin e rinitit alergjik, i njohur më shpesh si alergjia sezonale ndaj polenit, si dhe të astmës.
“Infeksioni e rriti rrezikun, ndërsa vaksinimi e uli atë”, shpjegon Philip Curman, bashkëautor i studimit dhe dermatolog në Institutin Karolinska në Suedi.
Sipas tij, gjatë një infeksioni me Covid-19, sistemi imunitar mund të reagojë në mënyrë shumë të fortë, duke shkaktuar një rritje të inflamacionit – përfshirë edhe një lloj inflamacioni që lidhet me sëmundjet alergjike.
Edhe virusi respirator sincicial (RSV), një sëmundje e zakonshme e fëmijërisë, dhe rinovirusi, një nga viruset që shkakton ftohjen e zakonshme, duket se mund të kenë efekte të ngjashme, të paktën te fëmijët, sipas studimeve të mëparshme.
Zhvillimi i alergjive pas këtyre sëmundjeve mund të jetë një pasojë e padëshiruar e infeksionit. Gupta e shpjegon këtë si një rast kur organizmi gjendet “në vendin e gabuar në kohën e gabuar”.
“Nëse trupi juaj has një lloj ushqimi ose një alergjen mjedisor në një moment kur sistemi imunitar është tashmë i mbingarkuar duke luftuar një virus”, shpjegon ajo, “sistemi imunitar mund të reagojë duke thënë: ‘Çfarë është kjo tani? Le t’i largojmë të gjitha’.”
Konfuzioni i sistemit imunitar
Në mënyrë paradoksale, edhe trajtimet e përdorura për disa sëmundje të zakonshme mund të kenë efekte të padëshiruara. Përdorimi i antibiotikëve, për shembull, është lidhur me një rrezik më të lartë për zhvillimin e alergjive më vonë.
Gupta, e cila ka studiuar faktorët që mund të shkaktojnë alergji, thotë se kjo mund të lidhet me faktin që antibiotikët prishin ekuilibrin delikat të mikrobiomës së zorrëve – komunitetit të madh të baktereve që jetojnë në traktin gastrointestinal.
Shkencëtarët ende kanë shumë për të mësuar rreth mikrobiomës së zorrëve, por duket se ajo luan një rol në shumë aspekte të shëndetit tonë, përfshirë funksionimin e sistemit imunitar.
Ndërprerja e ekuilibrit të mikrobiomës, sipas Gupta, mund të shkaktojë një lloj “konfuzioni në sistemin imunitar”, duke bërë që substanca që normalisht janë të padëmshme të konsiderohen si kërcënime që duhet të neutralizohen.
Shtatzënia dhe ndryshimet hormonale
Shtatzënia është një tjetër ndryshim i madh në sistemin imunitar dhe mund të ketë efekte të papritura te alergjitë, shpjegon alergologia Kelly Colas, e cila në Universitetin e Washingtonit është e specializuar në menaxhimin e alergjive gjatë shtatzënisë.
Rreth një e treta e grave që kanë alergji mjedisore para shtatzënisë konstatojnë se simptomat e tyre përkeqësohen pasi mbeten shtatzënë.
Ekziston gjithashtu një fenomen i njohur si “riniti i shtatzënisë”, kur një grua që nuk ka pasur më parë alergji zhvillon simptoma të tilla si teshtima, bllokimi i hundëve dhe rrjedhja e hundës.
Riniti i shtatzënisë ndoshta nuk është një alergji e mirëfilltë, por një gjendje e përkohshme që shkakton simptoma të ngjashme me alergjitë. Një nga ndryshimet kryesore është se simptomat zakonisht zhduken pas lindjes dhe nuk vazhdojnë përgjithmonë.
Arsyeja pse ndodh kjo ende nuk është kuptuar mirë, por duket se lidhet me ndryshimet hormonale. Hormonet riprodhuese femërore, estrogjeni dhe progesteroni, dihet se ndërveprojnë me sistemin imunitar.
Hulumtimet sugjerojnë gjithashtu se gratë mund të zhvillojnë alergji të reja pas menopauzës, një tjetër periudhë e ndryshimeve të mëdha hormonale.
“Këto hormone mund të ndikojnë pothuajse në gjithçka”, thotë Colas.
Alergjitë që fshihen në pickimin e rriqrës
Pickimi i një rriqre Lone Star, një lloj rriqre e përhapur në Amerikën e Veriut dhe që po shtrihet në zona të reja me ngrohjen e klimës, mund të shkaktojë një alergji veçanërisht të pazakontë: alergjinë ndaj mishit të kuq.
Thomas Platts-Mills, profesor i mjekësisë dhe mikrobiologjisë në Universitetin e Virxhinias në SHBA, e përjetoi vetë këtë fenomen.
Në vitin 2007, gjatë një udhëtimi në Londër, ai kishte ngrënë një darkë me mish qengji. Më pas u kthye në hotel për të fjetur. Por gjatë natës gjërat ndryshuan.
“U zgjova në orën 2:30 të mëngjesit. Në orën 3:00 isha i mbuluar me urtikarie”, tregon ai.
Në atë kohë, laboratori i tij po përpiqej të zbulonte arsyen pse disa pacientë në SHBA kishin zhvilluar alergji ndaj mishit të kuq, edhe pse për vite me radhë kishin ngrënë mish pa asnjë problem.
Platts-Mills kishte një hipotezë: këto alergji të pazakonta dukeshin se shfaqeshin pas pickimit nga rriqrat.
Rasti i tij personal ndihmoi në forcimin e kësaj hipoteze. Disa muaj para udhëtimit, ai ishte ekspozuar ndaj rriqrave të vegjël gjatë një ecjeje në natyrë. Analizat e mëvonshme të gjakut treguan nivele të larta të antitrupave të lidhur me alergjitë.
Kështu u përcaktua ajo që sot njihet si sindroma alfa-gal.
Rriqrat mund të mbartin në pështymën e tyre një molekulë sheqeri të quajtur alfa-gal, e cila prodhohet natyrshëm nga shumica e gjitarëve, përfshirë kafshët që konsumojmë.
Njerëzit, megjithatë, e kanë humbur aftësinë për ta prodhuar këtë molekulë rreth 10 milionë vjet më parë.
Për këtë arsye, kur një person ekspozohet ndaj alfa-gal përmes pickimit të rriqrës, sistemi imunitar mund ta perceptojë atë si kërcënim dhe të reagojë.
Kur personi përballet sërish me alfa-gal – për shembull, duke ngrënë një hamburger – mund të shfaqen simptoma alergjike, përfshirë urtikarie, ënjtje dhe shqetësime gastrointestinale.
Rastet e sindromës alfa-gal po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në SHBA, ndërsa rriqrat Lone Star po përhapen në zona të reja. Sipas të dhënave qeveritare amerikane, më shumë se 90 mijë persona u diagnostikuan me këtë sindromë vetëm gjatë periudhës 2017-2022.
A mund të kurohen alergjitë që shfaqen papritur?
Ndërsa riniti i shtatzënisë zakonisht zhduket pas lindjes, shumë njerëz që zhvillojnë alergji të reja nuk janë aq me fat.
Pavarësisht nëse alergjia shfaqet pas një sëmundjeje, një pickimi rriqre apo pa ndonjë shkak të dukshëm, ajo mund të jetë e përhershme.
Pavarësisht nëse bëhet fjalë për polenin, kikirikët, pluhurin apo qentë, mekanizmi i përgjithshëm është i njëjtë. Alergjitë ndodhin kur organizmi reagon ndaj një substance normalisht të padëmshme sikur të ishte një pushtues i rrezikshëm dhe prodhon antitrupa, një lloj proteine të sistemit imunitar.
Kur sistemi imunitar aktivizohet, shfaqen simptoma si rrjedhja e hundëve, kruajtja e syve ose, në raste të rënda, edhe anafilaksia, një reaksion alergjik potencialisht kërcënues për jetën.
“Trupi juaj e ka identifikuar një substancë si të dëmshme dhe ka krijuar antitrupa ndaj saj”, shpjegon Gupta. “Tani, sa herë që trupi juaj përballet me të, sistemi imunitar sulmon.”
Në rastet kur alergjia e shfaqur më vonë në jetë ka një shkak të mundshëm – si inflamacioni i lidhur me një sëmundje ose ndryshimet në mikrobiomën e zorrëve pas përdorimit të antibiotikëve – ekzistojnë disa pista që mund të ndihmojnë në parandalimin ose zbutjen e pasojave.
Gupta, për shembull, rekomandon që personat që marrin antibiotikë të konsumojnë edhe probiotikë, prebiotikë, kos dhe ushqime të fermentuara, të cilat mund të ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit dhe diversitetit të mikrobiomës së zorrëve.
Parandalimi i një reagimi të pakontrolluar inflamator gjatë një infeksioni viral mund të ndihmojë gjithashtu në parandalimin e pasojave të mëvonshme, si alergjitë dhe astma.
“ A mund të ndikojmë në zhvillimin e këtyre çrregullimeve dytësore, si astma, përmes trajtimit të hershëm?”, pyet Curman. Për momentin, kjo mbetet një pyetje e hapur, por sipas tij është një fushë që meriton të studiohet më tej.
Shpresa te trajtimet e reja
Barnat që modifikojnë mënyrën se si funksionon sistemi imunitar po tregojnë potencial si për personat që sapo kanë zhvilluar alergji, ashtu edhe për ata që kanë vuajtur prej tyre prej vitesh.
Një prej tyre është Xolair, një ilaç që është përdorur prej dekadash për trajtimin e astmës dhe së fundmi ka treguar efektivitet edhe në reduktimin e reaksioneve ndaj alergjive ushqimore.
Ilaçi vepron duke synuar sistemin imunitar dhe duke bllokuar reagimin e tepruar që mund të shkaktojë një reaksion të rrezikshëm ose fatal.
Studiuesit po shqyrtojnë gjithashtu mënyra të tjera për ta “ritrajn uar” sistemin imunitar në mënyrë që të mos reagojë në mënyrë të tepruar ndaj alergjenëve.
Këto qasje eksperimentale përfshijnë vaksina që synojnë të mësojnë sistemin imunitar të reagojë më me qetësi ndaj alergjenëve, si dhe një trajtim me një dozë të vetme që synon t’i sigurojë drejtpërdrejt organizmit antitrupa që bllokojnë alergjenët.
Megjithatë, për momentin nuk ekziston një mënyrë e sigurt për të zhdukur përgjithmonë një alergji të re, thotë Gupta.
Por e ardhmja duket premtuese.
“Kam 20 vjet që studioj alergjitë ushqimore dhe është një periudhë jashtëzakonisht emocionuese të shohësh kaq shumë përparim”, shprehet ajo.
