Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj në një dalje të posaçme për mediat bëri të ditur se është arrestuar drejtori i burgut të Lushnjes dhe kartelisti i këtij burgu pasi kanë liruar para kohe Lul Cakën, i njohur si i “tmerrshmi i Beratit”.
Sipas Gjonajt ata kanë konsumuar elementë të veprës penale të shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve. Ministrja tha se Lul Caka nuk e ka përfunduar dënimin, sipas përllogaritjeve dhe se i ka kërkuar policisë të shpallet në kërkim e të rikthehet në qeli të përfundojë dënimin.
Lul Caka u lirua disa ditë më parë nga burgu, ku vuante dënimin për vrasje.
Lexo edhe- Del nga burgu “i tmerrshmi i Beratit”, Lul Caka
DEKLARATA E PLOTE E GJONAJT:
Dje në mbrëmje, me informacion në rrugë operative nga Shërbimi i kontrollit të Brendshëm të burgjeve, jam vënë në dijeni me dyshimin e lirimit para kohe nga IEVP Lushnjë, të të dënuarit Lulzim Caka, i dënuar me 25 vjet heqje lirie për kryerjen e disa veprave penale.
Menjëherë sapo kam marrë dijeni, kam urdhëruar verifikimin dhe hetimin e çështjes me grup të përbashkët hetimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje (SHKBB) dhe stafi i Ministrisë së Drejtësisë.
Grupi i hetimit, gjatë orëve të natës ka kryer veprimet hetimore dhe proceduriale, në administrimin e provave, pyetjen e stafit administrativ, drejtorin e IEVP Lushnjë, kartelistin pranë këtij institucioni, shqyrtimin e dokumentacionit në IEVP Lushnjë dhe dosjes penale të të dënuarit Lulzim Caka.
Në përfundim të këtyre hetimeve, ka rezultuar se shtetasi Lulzim Caka është liruar nga IEVP-Lushnjë 4 muaj e 22 ditë përpara shlyerjes së plotë të dënimit, për shkak të përllogaritjes në mënyrë të gabuar nga ana e kartelistit të IEVP Lushnjë dhe lëshimit të urdhrit të lirimit në mënyrë të kundraligjshme nga Drejtori i IEVP Lushnjë.
Si rezultat i shkeljeve të evidentuara, në orët e para të mëngjesit Shërbimi i kontrollit të brendshëm të burgjeve kreu arrestimin në flagrancë të: 1.Judmir Shurdhi me detyrë Drejtor i IEVP-Lushnjë. 2. Llazar Mino, me detyrë kartelist pranë IEVP Lushnjë.
Ata akuzohen se kanë konsumuar elementë të veprës penale të “Shpërdorimit të Detyrës” parashikuar nga Neni 248 i Kodit Penal dhe “Falsifikim të dokumenteve” parashikuar nga neni 186 /3 i Kodit Penal. Materialet i janë referuar menjëherë Prokurorisë së Rrethit gjyqësor Elbasan.
Po gjithashtu kam urdhëruar shkarkimin e menjëhershëm të dy punonjësve të përfshirë në këtë ngjarje.
Nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve është njoftuar menjëherë Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe Policia e Shtetit për revokimin e lirimit të të dënuarit Lulzim Caka dhe shpalljen e tij në kërkim për ta rikthyer për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.
Po sot kam urdhëruar, ngritjen e një grupi hetimi për verifikimin e të gjitha dosjeve dhe dokumentacionit përkatës në rastet e lirimit të të dënuarve në të gjitha Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.
Qeveria dhe personalisht unë si Ministre e Drejtësisë jam e vendosur që të mos bëj asnjë lëshim dhe të vendos përpara përgjegjësisë këdo që shkel ligjin pasi gur i themelimit në mbarëvajtjen e organeve ligjzbatuese është zbatimi në mënyrë rigoroze e ligjit dhe administrimit të procesit.
Në ditët që pasojnë do të realizoj një proces rivlerësimi për të gjithë trupën drejtuese të burgjeve dhe shefave të policisë si dhe ndërmarrjen e një procesi të ri për rekrutimin e kandidatëve profesionistë dhe me integritet, në pozicione drejtuese, detajet e së cilës do ti bëj shumë shpejt të ditura.
