Një 32-vjeçare nga Tirana është prangosur nga policia pasi ka vjedhur shtëpitë e pushuesve në zonën e plazhit në Durrës. Ajo merrt shuma monetare dhe sende me vlerë teksa të zotët ndodheshin në det.
Sipas policisë dy raste janë dokumentuar, ndërsa në dy raste të tjera ajo është pikasur nga vetë pushuesit, dhe ka mundur të largohej pa u kapur prej tyre.
G.L hynte në banesa dhe merrte kryesisht çanta ku mbahen sende me vlerë, dhe në një rast ka tentuar të vjedhë dhe çelësat e shtëpisë.
NJOFTIMI I PLOTE
Specialistët për Krimet në Stacionin e Policisë Plazh, në kuadër të rritjes së sigurisë së qytetarëve dhe pushuesve gjatë sezonit turistik, kanë bërë të mundur arrestimin e një shtetaseje, e cila hynte në banesat e pushuesve dhe i merrte sende me vlerë.
Është vënë në pranga shtetasja G.L., 32 vjeçe, banuese në Tiranë.
Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se shtetasja e mësipërme është autore e 2 vjedhjeve dhe e 2 rasteve të tjera të tentativës për vjedhje, konkretisht:
• Më datë 25.08.2019, në lagjen Nr.13, dyshohet se ka hyrë në banesën e shtetases M.B. dhe ka marrë një çantë, në të cilën kishte dokumente personale dhe vlera monetare.
• Më datë 25.08.2019, në lagjen Nr.13, dyshohet se ka tentuar të vjedhë banesën e shtetasit A.D.
• Më datë 26.08.2019, në lagjen Nr.13, dyshohet se është futur në banesën e shtetasit L. A., banues në Kosovë dhe i ka marrë çantën e dorës.
• Më datë 26.08.2019, në lagjen Nr.13, dyshohet se është futur në banesën e shtetases L. B. dhe ka tentuar të marrë çelësat e banesës.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”.
