Një ditë më parë në emisionin investigativ “STOP” u publikua një video e pedagogut të urgjencës mjekësore, Besnik Faskaj, i cili i mori 150 euro një studente për ti bërë notën e provimit nga 4 në 8.
Ndërkohë ai është pezulluar dhe SPAK ka marrë pamjet filmike për të nisur hetimet. Por kush është profesori Faskaj?
Mësohet se ai është kunati i Alma Faskaj, anëtares së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që heton prokurorët dhe gjyqtarët. Ndërkohë bashkëshorti i Almës, Idajet Faskaj mban një detyrë të lartë në Ministrinë e Brendshme, Drejtor i pergjithshem i Zyres Qendrore Kombetare Interpol Tirana.
BISEDA E STUDENTES ME PEDAGOGUN
Studentja: Gjithsesi profesor, unë e kam këtu, që më është bërë ferr ky provimi. E kupton? Më është bërë shumë ferr edhe…A, i paskam këtu (për lekët).
Pedagogu Besnik Faskaj: Aman o ti, si e kanë bërë të tjerët. Ata kanë kopjuar, i kanë bërë, s’i kanë bërë etj.
(I jep 150 Euro)
Pedagogu Besnik Faskaj: Sa e vret mendjen ti.
Studentja: Jemi në rregull bashkë?
Pedagogu Besnik Faskaj: Mbetet… ja t’i them asaj.
Studentja: Profesor, unë kam edhe këtë pjesën, që kam mesatare edhe e kupton? E dua një farë note!
Pedagogu Besnik Faskaj: Do ta shohim atë ne!
Studentja: Në qoftë se s’prish punë, ma thuaj!
Pedagogu Besnik Faskaj: E di ku është…Ajo sforco më e madhe, është të bëj ndryshimin. E ke parasysh? Nuk ka rëndësi nota. Të bëj ndryshimin atje, që mos të kem konflikte.
Studentja: Ishalla bëhet, po gjithsesi më telefono dhe më thuaj!
Pedagogu Besnik Faskaj: Gjithsesi do të njoftoj!
Në sistem studentes i ishte hedhur nota 4, por pas marrjes së parave, profesori Faskaj ndërhyn dhe e ndryshon duke e çuar në 8. Sot Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) sekuestroi pamjet filmike dhe materialet shkresore, për të nisur hetimet për rastin në fjalë.
“Kjo është shumë institucionale dhe e thashë që jo më larg se sot, SPAK, institucioni më i ri i drejtësisë në vend erdhi dhe tërhoqi materialet. Nuk ka nevojë për pamje filmike për shkak të hetimit që po ndodh. Kam përshtypjen dhe bindjen që gjërat po shkojnë në vendin e duhur. Faleminderit SPAK”, tha drejtuesi i emisionit Saimir Kodra.
