Haki Shera, babai i dy vëllezërve Saimir dhe Arsil Shera, të cilët akuzohen se ekzekutuan me breshëri kallashnikovi taksistin 71-vjeçar, me të cilin nëna e tyre kishte një lidhje jashtëmartesore ka folur pak ditë pas ngjarjes.
Në një intervistë për News24 nga Gjykata e Tiranës, burri tashmë në pension rrëfen se ka punuar në ndërtim bashkë me djemtë për të siguruar bukën e gojës, por ata asnjëherë nuk i shprehën shqetësim për çfarë po ndodhte në familjen e tyre. Edhe pse pranon se njëri nga djemtë, Saimiri ishte shumë i shqetësuar kohët e fundit, dhe se sipas tij, zgjodhi të largohej nga shtëpia dhe të jetonte në një fshat tjetër.
Për bashkëshorten e tij, Haki Shera thotë se ende nuk ka marrë asnjë vendim. Ai mohon të kishte dijeni, që e shoqja, kishte një lidhje jashtëmartesore me taksistin, por nëse kjo ka ndodhur familja e viktimës sipas tij i ka borxh ‘nderin e gruas’, ndërsa e shoqja të zgjedhë vetë një rrugë. 65-vjeçari pranon se e njihte viktimën Abdulla Budlla, madje ishte vetë ai që e punësoi vite më parë, si taksist të besuar të familjes.
Intervista
Pse keni mbërritur sot në Gjykatë?
Unë kam ardhur në gjykatë për t’u interesuar për çunat. Saimir Shera dhe Arsil Shera.
Çfarë ka ndodhur më këta?
Se si ka ndodhur kjo e kam marrë vesh me vonesë. Momentale ka qenë ajo vrasja ose ka qenë me paramendim se unë nuk i di si baba. Çdo gjë që mund të ketë ndodhur më mirë të pyetet ai që ka bërë vrasjen, çuni Saimir kurse Arsili është kot.
Sa fëmijë keni?
Unë kam 9 fëmijë, 5 çuna, 4 vajza. Jetoj në Zezë, Rinas.
Po bashkëshortja juaj ku jeton?
Në shtëpi.
Vijoni të jeni të martuar, nuk ka pasur divorc?
Jo nuk jemi divorcuar. Ajo ka detyrat e shtëpisë. Unë kam punët e mia, punoj ndërtim në gjithë rrethin.
