Esmeralda Kane, vajza e pacientit 69-vjeçar që sot tentoi vetëvrasjen pasi u vetëhodh nga dritarja e spitalit ‘Infektiv’ ka treguar detaje për ngjarjen e rëndë. Në një intervistë për Euronews, Kane tregon se babai i saj ka pasur vetëm temperaturë dhe jo simptoma të tjera të Covid-19. Ajo shtoi se babai i saj pasi është sjellë nga Fieri në Tiranë ka qëndruar për disa orë në korridorin e Infektivit pa marrë asnjë shërbim mjekësor dhe se ende nuk e dinë se çfarë e shtyu 69-vjeçarin të ndërmerrte këtë akt.
Vajza e pacientit 69-vjeçar u shpreh se ngjarjen fillimisht e ka parë në media, por më pas ka qenë vetë spitali, i cili e ka vënë në dijeni. Pavarësisht tentativës për t’u rilidhur me kontaktin që e vuri në dijeni për ngjarjen, Esmeralda Kane thotë se nuk ka marrë ende asnjë informacion mbi gjendjen shëndetësore tëbabait.
“Më informuan dhe erdha. Tani unë dua një sqarim akoma më tepër. Jam jashtë dhe po pres. Baba im nuk ka pasur asnjë simptomë përpara, pro vetëm thjesht tre ditë me temperaturë, e sollëm nga Fieri deri këtu. Ka ndenjur në korridor nga 08:30-15:30 pasdite dhe pa mjekim. Sot ishte ora shtatë e mëngjesit, dhe më thotë se nuk kam fuqi të flas dhe po vdes nga frymëmarrja. Nuk na është thënë asgjë. Nuk kemi asnjë lloj ndihme, vetëm kemi qëndruar me mjekun që na ka shoqëruar nga Fieri deri këtu. Nuk e di, kjo është një gjë e pabesueshme babai nuk vuante nga asnjë gjë, por thjesht nga tensioni. Ai donte të mjekohej në spitalin e Fierit dhe spitali e nisi për këtu, ne kërkojmë ndihmë më të specializuar, por Fieri nuk e mbajti se gjendja e tij ishte e rënduar. Të them të vërtetën e pashë me titra në media, por nuk kishte emër dhe mbiemër. Pastaj gjysmë ore më vonë më informuan nga spitali dhe unë nuk e besoj dot. Tani nuk kam kontaktuar me asnjë. Kam ritentuar, por nuk është përgjigjur. Dua informacion më afër më shpejt,”- theksoi ajo.
69-vjeçari Reshat Grendi është nën kujdesin e mjekëve tashmë. Ky është rasti i katërt që ndodh. Tre herët e para, pacientët janë vetëhedhur nga ballkoni i spitalit “Shefqet Ndroqi”, por fatkeqësisht ata kanë ndërruar jetë.
