Katër persona janë shoqëruar nga policia pas hetimeve për tritolin e vendosur në makinën e Igli Bimajt, kreut të Njësisë Administrative Shushicë. Dy prej tyre mësohet se janë arrestuar.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, personat e shoqëruar dyshohet se janë nga Tirana dhe kishin mbërritur në Vlorë. Në kuadër të veprimeve hetimore, është bllokuar edhe një automjet, i cili pritet t’i nënshtrohet kontrolleve për të përcaktuar nëse është përdorur nga personat e dyshuar.
Hetuesit po mbledhin prova dhe po verifikojnë lëvizjet e personave të shoqëruar para dhe pas ngjarjes, me qëllim përcaktimin e rolit të secilit prej tyre dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë.
Ende nuk dihet nëse vendosja e lëndës plasëse në automjetin e Igli Bimajt ka lidhje me detyrën e tij publike apo nëse ngjarja ka motive të tjera.
Pritet që Policia e Vlorës të dalë me një njoftim zyrtar për të sqaruar rrethanat e operacionit, akuzat e mundshme dhe provat e administruara.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
