Autoriteti i Mediave Audivizive (AMA) dhe Komisioni i Pavarur i Medias (KPM) zhvilluan një takim pune në Tiranë.
Kryetarja e Autoritetit znj. Armela Krasniqi dhe kryetari i KPM-së z. Xhevat Latifi diskutuan mbi çështje me të cilat përballen dy institucionet që ata drejtojnë.
Implementimi i Direktivës 2018/1808 është një nga detyrimet që rrjedh nga angazhimet e ndryshme ndërkombëtare të dy vendeve dhe si e tillë ajo kërkon vendimmarrje dhe angazhim tërësor të dy institucioneve.
AMA dhe KPM shkëmbyen informacion për punën e deritanishme në këtë drejtim duke u fokusuar tek mënyra që secili vend do ta implementojë.
Direktiva 2018/1808 trajton një sërë çështjesh, që kërkojnë rregullim në median audiovizive dhe aktualisht është implementuar tërësisht pothuajse nga të gjithë vendet e BE-së.
Znj. Krasniqi dhe z. Latifi u dakordësuan për zhvillimin e një takimi rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor, me qëllim shkëmbimin e eksperiencave në implementimin e Direktivës dhe marrjen e praktikave më të mira nga shtetet që kanë avancuar në këtë drejtim.
Një peshë të rëndësishme në bisedë pati edhe draftimi i ligjit të ri për median audiovizive në Kosovë, procesi i digjitalizimit, çështje për të cilat u diskutua dhe u shkëmbyen mendimet dhe eksperienca që AMA ka pasur gjatë hartimit të ligjit 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” apo mbi procesin e digjitalizimit.
