Kryedemokrati Lulzim Basha komentoi ‘live’ deklaratat e kryeministrit Edi Rama të bëra nga vendi i inceneratorit të Elbasanit.
Në konferencën për mediat, Basha tha se është unike në botë të mbledhësh grupin parlamentar në një vend grumbullimi mbetjesh, skenë krimi, sot të rrethuar me shirit të verdhë për të mbrojtur Lefter Kokën.
“Kjo është përgjigjja e Edi Ramës. Pyetja që kam për çdo shqiptar kur dëgjon këtë dhe merr vesh që ministri i tij është në pranga, është denoncuar afera korruptive dhe përgjigjja e kryeqeveritarit është që në vend të thërrasë sa ka në dorë vartësit e tij dhe t’iu kërkojë llogari, mobilizon gjithë grupin parlamentar të PS dhe i çon tek skena e krimit e cila sot është e rrethuar me shirit të verdhë.
Është unike në botë të mbledhësh grupin parlamentar në një vend grumbullimi mbetjesh, ta bësh këtë pasi je akuzuar publikisht nga opozita se është një aferë e madhe korruptive.
Arrestimi i djeshëm i Kokës nuk mund të jetë maja e hetimit. Nuk ka njeri që i mbush mendjen shqiptarëve që Rama mblodhi grupin parlamentar ditë pas denoncimeve tona për të mbrojtur Lefter Kokën. Në këtë skemë është Edi Rama, janë kryetarët e 3 bashkive, është Arben Ahmetaj, që bëri të mundur 17 akte qeverie, pavarësisht se e kanë lënë me gisht në gojë, se hyri në skenë Veliaj dhe Gjiknuri. Kjo është skemë e pastër mafioze”, deklaroi Basha.
