Në një postim që ish opinionisti i edicionit të parë te “Big Brother VIP” ka bërë në mediat sociale, ai ka përshkruar përvojën e tij në këtë format dhe në të nuk kanë munguar as komentet e ndjekësve. Një prej tyre i thote në koment: “Edhe ca lek i ke paluar, s’është keq…”
Ndërkohë reagimi i Arbrit ndaj këtij komentuesi ka qenë i menjëhershëm. Ai thekson se ka gjëra që janë më të rëndësishme se paraja në këtë jetë.
“Ju është bërë mendja lekë lekë lekë. Arsyet i kam shkruar më lart pse kam shkuar. Nuk kam shkuar për asnjë lloj pagese, zero! Nuk bëhet çdo gjë për lekë në ktë botë!”, i është kthyer Hajdari.
Në postimin e tij, Hajdari është shprehur se e ka pranuar ftesën për të qenë opinionist në “BBVIP” për të treguar qëndrimin e tij në raport me shoqërine shqiptare, me vlerat e saj morale, qytetërore e njerëzore si edhe për të komentuar në mënyrë të drejtë dhe të saktë lojën e banorëve në shtëpi.
“Të nderuar miq, Në 5 tetor të vitit që lamë pas, pranova ftesën për të marrë pjesë në programin televiziv “Big Brother Vip”. Nuk ishte e lehtë për mua që gjatë këtyre muajve të ndiqja misionin tim me Fundjavën dhe gjithashtu këtë program.
Mora pjesë sepse: Së pari, doja ti tregoja shqiptarëve se çfarë mendimi kam për shoqërinë, për vlerat qytetare, morale, njerëzore, intelektuale, çfarë besoj e përfaqësoj, për tema të ndryshme.
Së dyti për të komentuar drejt, pa dallime, pa paragjykime, lojën e banorëve në shtëpi. Në fakt të qënit opinionist në këtë program kaq të ndjekur nuk ishte e lehtë, ishte një sfidë e imja. Shpresoj që gjatë gjithë kësaj kohe, të jem treguar i drejtë me mendimet e mia.
Ju faleminderit të gjithëve për komentet e mesazhet e shumta gjatë gjithë kësaj kohe”, ka shkruar Hajdari në postimin e tij.
