Në sezonin e ardhshëm, Rusia nuk do të ketë të drejtë të presë një Grand Prix të Formula 1. Këtë njoftim e ka bërë vetë FIA, e cila përmes një deklarate të lëshuar të premten tha se “është e pamundur të mbahet Çmimi i Madh i Rusisë në rrethanat aktuale”.
“Kampionati Botëror i FIA Formula 1 viziton vendet në mbarë botën me një vizion pozitiv për të bashkuar njerëzit, duke bashkuar kombet,” thuhej në njoftim.
“Ne po i shikojmë zhvillimet në Ukrainë me trishtim dhe tronditje dhe shpresojmë për një zgjidhje të shpejtë dhe paqësore të krizës aktuale.”
Të enjten ishte Sebastian Vettel ai që reagoi duke thënë se do të refuzonte të konkurronte në garë nëse lufta do të vazhdonte. Vettel është një nga pilotët më të suksesshëm të këtij sporti, i cili është shpallur edhe katër herë kampion bote.
Kjo lëvizje vjen pasi organi qeverisës i futbollit evropian, UEFA, njoftoi se i kishte hequr qytetit rus të Shën Petersburgut të drejtën për të pritur finalen e Ligës së Kampionëve 2022.
