Pas zerimit ta tarifave Roaming mes vendeve të Ballkanit, pritet që në periudhat në vazhdim, përdoruesit e telefonisë celulare në këtë rajon të shpenzojnë më pak edhe kur udhëtojnë në vendet e Bashkimit Europian.
Vendet e BE-së po e shohin pozitivisht nismën e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal në lidhje me uljen e tarifave Roaming me shtetet e Ballkanit, madje për këtë ka edhe një kalendar të mirëfilltë pune, për të cilin foli Sekretarja e Përgjithshme e RCC-së, Majlinda Bregu gjatë punimeve të Samitit të Berlinit në tetorin e shkuar.
Në këtë kontekst, 86 deputetë të Grupit të Partive Popullore Europiane i janë drejtuar Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen duke i kërkuar heqjen e tarifave Roaming për rajonin tonë duke e cilësuar Ballkanin Perëndimor si një aleat të denjë dhe të besueshëm të Bashkimit Europian, i cili duhet mbëshetur.
Pasi vlerësojnë mbështetjen për Ukrainën, gjë të cilën vetë Von Der Leyen e theksoi në fjalimin e saj në shtator, deputetët në fjalë kërkojnë prej saj një vëmendje të shtuar edhe për një tjetër rajon në Europë, siç është Ballkani Perëndimor.