Vetëm gjatë muajit janar Prokuroria e Posaçme ka çuar për gjykim në GJJKO 3 çështje me 12 të pandehur ndërkohë që ka regjistruar 15 procedime penale, 9 që lidhen me korrupsionin dhe 6 për krimin e organizuar. Në bilancin e muajit që ka bërë SPAK kaq bëtë me dije se në këtë institucion në janar janë paraqitur 15 kallëzime penale; për 6 kallëzime është vendosur mosfillim i hetimeve.
“Janë dërguar për gjykim 3 procedime penale me 12 persona të pandehur, nga të cilat, 1 procedim me 6 persona të pandehur për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar dhe 2 procedime me 6 persona të pandehur për vepra penale që lidhen me korrupsionin. Bazuar në kërkesat e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme, janë miratuar nga Gjykata e Posaçme masa sigurimi personal ndaj 21 personave nën hetim. Pas kërkesave përfundimtare të prokurorëve të posaçëm, janë dhënë nga Gjykata e Posaçme 9 vendim themeli, janë deklaruar fajtorë 37 persona të pandehur”, ka njoftuar SPAK.
Gjithashtu Prokuroria e Posaçme ka bërë me dije se në kuadër të ligjit antimafia, janë dhënë nga gjykata 2 vendime sekuestrimi sipas të cilit janë sekuestruar: 23 pasuri të paluajtshme; 14 pasuri të luajtshme; 1 llogari bankare; 13 subjekte tregtare nga të cilët, 10 subjekte të sekuestruara plotësisht dhe 3 me kuota përkatëse
Ndërsa janë konfiskuar për t’i kaluar shtetit përmes 2 vendimeve 13 pasuri të luajtshme, 9 pasuri të paluajtshme, 3 subjekte tregtare, 178.500€ dhe 8.629.000 Lekë
Në njoftim SPAK bën me dije se gjatë muajit janar janë ekzekutuar gjithsej 18 vendime penale të formës së prerë; nga këto 8 vendime, kanë marrë formë të prerë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dhe 10 në Gjykatën e Posaçme të Apelit.