Komuniteti bektashi me në krye kryegjyshin botëror Haxhi Dede Edmond Brahimaj shtruan një iftar me rastin e muajit të Ramazanit për besimtarët. Në fjalën e tij kryegjyshi u shpreh se muaji i Ramazanit është një mundësi për të ndarë vlerat më të mira hyjnore dhe njerëzore.
Të pranishëm në këtë iftar ishin edhe Presidenti Bajram Begaj, përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare, ambasadorë të atashuar në vendin tonë, gazetarë e figura të njohura. Urimin për muajin e shenjtë të Ramazanit në këtë darkë e dha edhe ambasadorja e Izraelit, Galit Peleg, e cila vlerësoi harmoninë fetare në Shqipëri.
“Agjerimi i Ramazanit është një kujtesë për ne se të gjithë jemi qenie njerëzore dhe iftari është një mundësi e shkëlqyer për t’u ulur së bashku. Unë vij nga Halfa, një vend i njohur për praninë e besimeve të ndryshme fetare. Edhe ne i respektojmë të drejat e njëri-tjetrit, por më duhet ta pranoj se ajo çfarë gjeta në Shqipëri është shumë më shumë. Ju jo vetëm që bashkëjetoni, por jetoni në harmoni.”
Komuniteti Bektashi e ka kthyer në traditë shtrimin e iftarit gjatë muajit të Ramazanit, ku theksohet mesazhi për më shumë harmoni në familje dhe shoqëri.