Deputeti demokrat, Agron Gjekmarkaj ka treguar për një periudhë të jetës kur mori një qëndrim të caktuar në fillim të nisjes së krizës në PD, ku rrëfen mes të tjerash se si u paraqit ai në media.
I ftuar në emisionin “Opinion”, Gjekmarkaj thotë se të njëjtat media që para 3-4 muajsh e quanin intelektual dhe një njeri të mirëshkolluar, ishin po ato që pasi mori një qëndrim të caktuar kur filloi kriza në PD, për të njëjtat media, ai “ishte i shitur tek Edi Rama” dhe “i pashkolluar”.
Agron Gjekmarkaj: Unë kur vendosa të kandidoj dhe të hyj si deputet i Partisë Demokratike, shumë portale që kishin mbështetur opozitën në këto vite më përshëndetën dhe më vunë një sërë epitetesh si “intelektual, pedagog, i mirëshkolluar, etj, etj. Kur filloi kriza në PD, e gjeta veten protagonist për një moment të caktuar duke mbajtur një qëndrim të caktuar dhe po të njëjtat portale u turrën me një breshëri duke më quajtur “lake”, “i shitur tek Edi Rama”, duke t’i hequr gradat “pa mëshirë”, ashtu siç t’i kishin vënë. Në harkun e 3-4 muajve, ti ishe i pashkolluar, ishe arrivist, ishe servil, ishe i blerë, i shitur. Por dua të them një gjë që e kuptoj nga qëndrimi në politikë që portalet shpeshherë përdoren si “killera” edhe brenda partisë politike për të goditur njëri-tjetrin.
