Ceremonia zyrtare e kurorëzimit të Spanjës kampione bote në futboll femra është shoqëruar me një veprim të papritur. Në momentin kur lojtaret po kalonin me radhë për t’u rreshtuar në podium për të ngritur lart trofeun, Luis Rubiales përshëndeti futbollisten Xheni Hermoso dhe më pas e puthi në buzë, për habinë e të gjithëve.
Futbollistja Xheni Hermoso ka bërë thirrje për marrjen e “masave shembullore” kundër Presidentit të Federatës Spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales pas puthjes së padëshiruar që i dha pas fitores së kombëtares spanjolle për femra në Kupën e Botës.
Veprimi që ndodhi teksa Rubiales po u jepte futbollisteve medaljet e tyre të arta pasi mundën Anglinë 1-0 në finale, ka sjellë shumë zemërim brenda dhe jashtë Spanjës dhe shumë njerëz, përfshirë ministrat e qeverisë, kanë kërkuar dorëheqjen e kreut të institucionit spanjoll të futbollit.
Në një deklaratë të përbashkët me shoqatën e futbollisteve femra të Spanjës, Xheni Hermoso tha se nuk duhen toleruar të tilla veprime.
“Ne po punojmë që të sigurohemi se akte të tilla si këto që pamë të mos mbeten kurrë të pandëshkuara dhe që masat shembullore të miratohen për të mbrojtur futbollsitet nga veprimet që ne besojmë se janë të papranueshme”, ishte mesazhi i saj.
Unioni i futbollisteve spanjolle do të takohet të hënën me zëvendëskryeministrin e Spanjës, Jolanda Diaz, me qëllim që të tilla veprime të jenë të sanksionuara siç duhet.
Rubiales, i cili fillimisht i quajti kritikët e tij “idiotë”, kërkoi falje nëpërmjet një videoje por kjo nuk i shuajti polemikat.
Burimi: Klan News
