Policia e Dibrës në kuadër të punës parandaluese për mbrojtjen e mjedisit, procedon penalisht një 27-vjeçar, pasi është kapur duke transportuar lëndë drusore, të prerë në mënyrë të paligjshme.
Sipas njoftimit të policisë, lënda drusore dhe mjeti me të cilin 27-vjeçari po kryente transporti është sekuestruar nga policia.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mat, në vijim të zbatimit të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, evidentuan dhe goditën një tjetër rast të prerjes së paligjshme të pyjeve. Si rezultat u referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A.M., 27 vjeç, banues në Burrel”, njofton Policia.
“Ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë, në fshatin Zenisht, duke transportuar me një automjet kamionçinë 5m³ lëndë drusore, e prerë në mënyrë të paligjshme. Sasia e lëndës drusore bashkë me automjetin, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, vijon njoftimi i Policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
