Studimi i fizibilitetit për hekurudhën Durrës – Prishtinë do të kushtojë 169 mln lekë, pa TVSH. Hekurudha Shqiptare ka shpallur konsorciumin e kompanive fituese, që do të hartojnë dokumentin, që do të shërbejë më pas për tenderimin dhe zbatimin e projektit. Fitues është shpallur bashkimi i kompanive ILF Consulting Engineers Austria GmbH & ABKONS SH.P.K, ndërkohë që sipas dokumentit afati për përmbylljen e studimit është 14 muaj nga nënshkrimi i kontratës.
Në garë morën pjesë 5 kompani, por 4 prej tyre u skualifikuan për mosplotësim të kritereve të tenderit. Ofertat e 3 nga 4 kompanitë e skualifikuara ishin më të ulta se ajo që u shpall fituese. Ideja për ndërtimin e një linje hekurudhore që lidh Shqipërinë me Kosovën ka nisur shumë vite më parë, por deri më tani nuk është realizuar. Ndërkohë, gjatë vitit 2021, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Kosovës nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunim në fushën e transportit hekurudhor, i cili u finalizua në mbledhjen e të dy qeverive në Prishtinë, në 20 Qershor 2022, q ëi hapi rrugë zbatimit të projektit.
Sipas dokumenteve të tenderit, linja hekurudhore Shqipëri – Kosovë përfaqëson një projekt strategjik shumë të rëndësishëm për zhvillimin e ardhshëm të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Projekti nis me portin e ri të mallrave të Durrsit, që do të ndërtohet në Porto Romano dhe do të ketë si pikë fundore portin e thatë në Prishtinë.
Për hartimin e studimitit të fizibilitetit do të merren në konsideratë 2 alternativa e ekzistuese, dhe një e tretë që do të përcaktohet nga vetë konsulenti gjatë vizitave në terren. Alternativa e parë përfshin ndërtimin e linjës hekurudhore Mjedë – Kufi në Qafë Morinë – Kramovik, ndërsa alternativa e dytë ka si itinerar Milotin – Kufiri në Vërmicë – Landovicë.
Objektivi i përgjithshëm i studimit është të kontribuojë në ndërtimin e hekurudhës së re ndërmjet Durrësit dhe Prishtinës, që do të rezultojë në përmirësimin e lidhjes së transportit midis dy vendeve dhe rajonit, zbatimin e rregulloreve të BE-së në transport, uljen e bllokimit të trafikut rrugor, uljen e trafikut tranzit në qytete dhe uljen e ndotjes urbane për shkak të emëtimit të automjeteve.