Autori i plagosjes së Selami Brahimit mbrëmjen e 8 shkurtit në Shkodër mësohet se është xhaxhai i bashkëshortes së shënjestrës. Sulejman Kapllanaj është arrestuar në Berlin të Gjermanisë dy ditë pas ngjarjes (10 shkurt) ndërsa pritet ekstradimi i tij në vendin tonë.
68-vjeçari tentoi që të vrasë dhëndrin e shtëpisë, Selami Brahimi kanë pasur konflikte prej vitesh të cilat janë rindezur pas një vdekje brenda familjes. Kapllanaj dyshohet se ka qëlluar nga një automjet tip Skoda Fabia ngjyrë e bardhë, të cilën e kishte marrë me qira në aeroportin e Rinasit kur ka ardhur drejt Shqipërisë pasi jeton në Itali.
Pas kqyrjes së kamerave të sigurisë automjeti u gjet i parkuar në lagjen “Rus” në Shkodër. Brenda makinës u gjet arma e zjarrit tip automatik kallashnikov, si edhe edhe 8 gëzhoja, ndërsa një gëzhojë u zbulua në vendin e ngjarjes e cila është e njëjtë më gëzhojat brenda makinës, provë e cila çoi në zbardhjen e kësaj ngjarje.
Sulejman Kapllani u arrestua në Gjermani, por nuk u ekstradua menjëherë pasi është një shtetas me dokumentacione italiane dhe shteti gjerman kërkoi vendim nga një gjykatë shqiptare. Gjykata e shkallës së parë në Shkodër vendosi ditën e djeshme (11 shkurt) për ekstradimin e 68 vjeçarit nga Gjermania drejt Shqipërisë dhe tashmë pritet ardhja e tij drejt vendin tonë si person i dyshuar për plagosjen.
Konfliktet
Sherri nisi pas vdekjes së vjehrrit të shënjestrës, Musa Kapllani, në janar të këtij viti njëkohësisht vëllai i autorit. Musa Kapllani që prej vitit 2013 nuk fliste me dy vëllezërit e tij. Në 2013-ën vëllai i vogël Bërhan Kapllani vrau në Itali ish-bashkëshorten e tij, Orjeta Boshi dhe të dashurin e saj Shpëtim Hana ndërsa u dënua nga shteti italian me burgim të përjetshëm. Që prej asaj kohe Musa Kapllani ka ndërprerë marrëdhëniet me dy vëllezërit Sulejmanin Kapllani, autori i dyshuar i plagosjes dhe Bërhanin Kapllanin.
Pas vdekjes së Musa Kapllanit, familja e këtij të fundit nuk shkroi në letrën e njoftimit të vdekjes emrat e dy xhaxhallarëve, Bërhanit dhe Sulejmanit. Ky i fundit nga Italia ka debatuar lidhur me këtë çështje duke mos e pranuar dhe duke u ndjerë i fyer, debat në të cilin është përfshirë edhe i plagosuri. Konflikti mes tyre ka agravuar dhe më 5 shkurt të këtij viti autori i dyshuar ka ardhur nga Italia drejt Shqipërisë ku në Rinasi mori me qira makinën nga ku qëlloi me 10 plumbanë drejtim të Selami Brahimit.
Autori mësohet se ka pritur rreth një orë derisa shënjestra erdhi tek lokali i tij dhe sapo la mbesën e vogël në një pallat qëlloi në drejtim të 60 vjeçarit. Pasi kreu atentatin, 68 vjeçari u largua përmes doganës së Hanit të Hotit drejt aeroportit të Podgoricës dhe nga aty në Berlin të Gjermanisë ku edhe u arrestua. Tashmë pritet ekstradimi nga autoritetet gjermane pas vendimit të gjykatës së shkallës së parë në Shkodër.
I plagosuri nuk ka pranuar të rrëfejë ngjarjen duke thënë se nuk e kanë idenë se kush janë autorët dhe se nuk ka asnjë konflikt me askend, ndërsa pritet dëshmia e Sulejman Kapllanit si autor i dyshuar. Kjo është pista kryesore ku po heton policia përmes informacioneve në rrugë operative sepse deri më tani as të afërmit e tjerë që kanë dijeni dhe janë marrë në pyetje nuk kanë pranuar të dëshmojnë këtë konflikt për efektivët.
