Kryeministri Edi Rama flet për situatën gjeopolitike në Evropë, luftën në Ukrainë si dhe mundësinë e një sulmi të mundëm rus ndaj vendeve të NATO-s. Në intervistën e dhënë në fund të tetorit për ”Al Jazeera” kur mori pjesë në Konferencën e Dialogut Global të Berlinit, por të publikuar sot, minimizon shqetësimet perëndimore se Rusia po përgatitet për konflikte të mëtejshme në Evropë. Rama sugjeron që BE të ketë një plan konkret paqeje për Ukrainën, mes përpjekjeve të SHBA-ve për t’i dhënë fund luftës.
”Rusia nuk do ta sulmojë Shqipërinë dhe Rusia nuk do të sulmojë asnjë vend tjetër evropian. NATO është gati për çdo lloj agresioni. NATO nuk ka askënd dhe asgjë për t’u frikësuar, sepse është ushtria më e fortë në botë deri më tani. BE-ja po provokohet shumë nga Rusia. Vendet në kufi me Rusinë po provokohen çdo ditë… BE-ja po mbron veten dhe po mendon të mbrohet më mirë”, tha Rama.
Nga ana tjetër, Rama pohoi se Shqipëria e cila nuk ka raportuar asnjë pamje të droneve ruse, ndjen pak presion pavarësisht inkursioneve të dukshme, pasi vendet e Evropës Lindore që kufizohen me Rusinë janë në gatishmëri të lartë sigurie. ”Unë jam shqiptar. Nuk kemi frikë. Nuk ka vend për armiqësi ruse në Shqipëri sepse nuk ka simpati për Rusinë”.
