Detaje të reja janë bërë të ditura lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së dielës në Kërvasari të Malishevës, ku një 25-vjeçare humbi jetën, ndërsa bashkëshorti i saj 26-vjeçar mbeti i plagosur rëndë.
Sipas informacioneve të raportuara nga mediat në Kosovë, dyshohet se bashkëshorti ka qëlluar me armë zjarri gruan e tij. Ajo u plagos rëndë dhe, pavarësisht transportimit për në spital, nuk mundi të mbijetojë.
Policia e Kosovës konfirmoi se zyrtarët policorë mbërritën në vendngjarje pas raportimit për të shtëna me armë zjarri. Në një dhomë gjumi, efektivët gjetën çiftin të plagosur.
Të dy u transportuan drejt Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim mjekësor. Sipas njoftimit të QKUK-së, rreth orës 00:15 të 24 gushtit, në Qendrën Emergjente u pranuan dy persona nga rajoni i Malishevës.
“Njëra prej personave të pranuar, femër, 25-vjeçare, ka arritur në Qendrën Emergjente pa shenja jete, me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.
Sipas raportimeve, 25-vjeçarja ishte shtatzënë. Ajo nuk mundi të mbijetojë për shkak të plagëve të marra.
Ndërkohë, bashkëshorti i saj, 26 vjeç, u dërgua në spital me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit dhe vijon të marrë trajtim mjekësor. Gjendja e tij shëndetësore raportohet si shumë e rëndë.
Në vendngjarje, Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në ngjarje.
Për rastin është angazhuar edhe prokurori i shtetit, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur dinamikën e ngjarjes dhe për të përcaktuar motivin.
Rasti po hetohet si “vrasje e rëndë”, ndërsa autoritetet pritet të japin informacione të tjera në vijim, në varësi të zhvillimit të hetimeve.
Ngjarja ka tronditur komunitetin në Malishevë, ndërsa rrethanat e plota dhe ajo që ka ndodhur brenda banesës mbeten ende objekt hetimi nga autoritetet.
