Lionel Messi nuk di të ndalet as në moshën 39-vjeçare. Ylli i Inter Miamit ishte protagonist në raundin e 22-të të MLS në SHBA duke shënuar tre gola në fitoren 7-1 të ekipit të tij kundër CF Montreal.
Inter Miami e zhbllokoi ndeshjen pas 20 minutash lojë me Casemiron. Një krosim nga këndi i Segovia bëri që mesfushori brazilian të kërcente mbi të gjithë dhe me kokë e ndali sferën pas krahëve të portierit Gillier. Megjithatë, miqtë barazuan me Herbers, por vetëm për disa minuta.
Në fundin e pjesës së parë Lionel Messi ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi duke bërë që Petrasso ta dërgonte topin në rrjetën e portës së tij, me Inter Miamin që u rikthye në epërsi 2-1.
Në pjesën e dytë Messi ishte i papërmbajtshëm, pasi fillimisht shënoi golin e tretë për ekipin, përpara se të asistonte për Luis Suarez dhe të gjente një tjetër gol. Në fundin e ndeshjes kishte vend edhe për golin e Shaw, përpara se Lionel Messi në shtesën e gjashtë të ‘vuloste’ gjithçka për 7-1.
Në moshën 39-vjeçare Lionel Messi ka luajtur në 23 paraqitje këtë sezon, duke shënuar 20 gola dhe asistuar në 10 raste. ‘Pleshti’ luan me shirit të zi në krah kjo për shkak se më 7 gusht i ati i tij, Jorge, u nda nga jeta në moshën 68-vjeçare.
