Nexhmedin Danaj, pronari i “Vlora Cable”, është arrestuar në Dubai, pasi ishte shpallur në kërkim në kuadër të hetimeve për pastrim parash dhe trafik droge.
Danaj dyshohet se ka pasur një rol në lëvizjen dhe pastrimin e parave që dyshohet se rridhnin nga trafiku i kokainës. Sipas të dhënave të bëra publike gjatë hetimit, paratë dyshohet se janë lëvizur edhe drejt Dubait përmes kompanisë “General Trading LLC”, me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Emri i Nexhmedin Danajt doli në kuadër të operacionit ndërkombëtar “Ura”, të zhvilluar nga SPAK dhe autoritetet italiane kundër grupeve të dyshuara për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.
Në kuadër të këtij operacioni, “Vlora Cable”, në pronësi të Danajt, si dhe biznesi “Dubai Inn”, u vendosën nën sekuestro. SPAK njoftoi se hetimet, të zhvilluara gjatë viteve 2020–2025, dokumentuan 40 episode të trafikut të narkotikëve, përfshirë raste të trafikimit të kokainës dhe heroinës.
Në total, operacioni çoi në 52 masa sigurie në Shqipëri dhe Itali, ndërsa u sekuestruan pasuri, kompani, automjete dhe shuma parash që dyshohet se kanë lidhje me aktivitetin kriminal.
Hetimet ndaj Danajt vijojnë, ndërsa arrestimi i tij në Dubai pritet të pasohet nga procedurat për ekstradimin dhe vënien e tij në dispozicion të drejtësisë.
Njoftimi nga Policia e Shtetit
Finalizohet, në bashkëpunim me homologët në Emiratet e Bashkuara Arabe, një tjetër fazë e operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.
Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Abu Dhabit, gjatë kësaj faze të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, është arrestuar provizorisht, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi N. D., 57 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në muajin prill 2026, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Nga hetimet dyshohet se 57-vjeçari, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, ka bashkëfinancuar, mundësuar dhe koordinuar trafikimin e lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt shteteve të Bashkimit Evropian.
Gjithashtu, shtetasi N. D. akuzohet se ka përdorur metoda të sofistikuara financiare, përfshirë transferta digjitale, për kryerjen e pagesave të konsiderueshme, në disa shtete, për blerjen e lëndëve narkotike.
Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit për finalizimin e procedurave për ekstradimin e 57-vjeçarit në Shqipëri.
