Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u ka dërguar një mesazh mbështetës efektivëve të policisë, të cilët prej shtatë ditësh po përballen me situata të vështira dhe akte dhune gjatë protestave.
Në letrën e tij, Hita shpreh mirënjohjen dhe respektin për punonjësit e policisë, duke vlerësuar përkushtimin e tyre në krye të detyrës. Ai thekson se shumë efektivë janë lënduar gjatë këtyre përballjeve dhe u uron shërim të shpejtë kolegëve të plagosur.
Kreu i Policisë së Shtetit nënvizon se asnjë sulm ndaj uniformave blu nuk është i pranueshëm dhe se aktet e dhunës nuk mund të justifikohen. Njëkohësisht, ai u kërkon efektivëve të vijojnë detyrën me profesionalizëm, guxim dhe vendosmëri, duke respektuar ligjin dhe dinjitetin e çdo qytetari.
“Nuk do të jeni vetëm”, u shpreh Hita, duke i siguruar punonjësit e policisë për mbështetjen e tij në përballimin e sfidave.
Mesazhi i drejtorit të Policisë Skënder Hita
Prej shtatë ditësh po përballeni me situata te veshtira, me orë te gjata sherbimi, tension dhe akte te renda dhune. Shumë prej jush janë lënduar në krye të detyres.
Sot dua t’ju shpreh personalisht mirenjohjen, respektin dhe mbeshtetjen time të plote. E di se pas çdo uniforme eshtë nje njeri, një prind, një bashkeshort, një bir apo nje bije, qe dikush e pret me shqetesim ne shtepi.
Asnjë sulm ndaj jush nuk eshte i pranueshem. Asnjë akt dhune nuk mund te justifikohet.
Ju kerkoj te vijoni detyren me profesionalizem, getesi dhe vendosmeri, duke respektuar ne çdo moment ligjin dhe dinjitetin e çdo qytetari.
U uroj sherim te shpejte kolegeve te plagosur dhe ju siguroj se nuk do te jeni vetem ne perballimin e ketyre sfidave.
Jam krenar per çdo punonjes policie qe i sherben vendit me ndershmeri dhe perkushtim.
Qendroni te forte, te bashkuar dhe besnike ndaj misionit tuaj.


