Bashkimi Evropian ka propozuar një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë, duke zgjeruar presionin ekonomik dhe diplomatik ndaj Moskës për shkak të luftës në Ukrainë.
Masat e reja, të prezantuara të hënën nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, parashikojnë goditjen e dhjetëra bankave ruse, kufizime ndaj platformave të kriptomonedhave dhe ndalimin e pjesëmarrjes së ekipeve dhe sportistëve rusë në aktivitete sportive e kulturore evropiane.
Propozimet janë pjesë e paketës së 22-të të sanksioneve të BE-së dhe duhet të marrin miratimin e të 27 vendeve anëtare përpara se të hyjnë në fuqi. Negociatat mund të zgjasin disa javë, ndërsa përmbajtja përfundimtare e masave mund të pësojë ndryshime.
Në deklaratën e saj, von der Leyen theksoi se Bashkimi Evropian synon të godasë më fort burimet financiare që Rusia përdor për të mbështetur luftën.
Sipas propozimit, 60 banka ruse do të përjashtohen nga sistemi ndërkombëtar i pagesave SWIFT, ndërsa do të vendosen kufizime edhe ndaj platformave të kriptomonedhave që mund të përdoren për të shmangur sanksionet. Gjithashtu, Komisioni Evropian parashikon krijimin e një task-force të posaçme për monitorimin e transaksioneve me kriptovaluta.
Një tjetër objektiv i masave të reja është flota në hije e Rusisë, e përdorur nga Moska për transportin e naftës dhe anashkalimin e kufizimeve ndërkombëtare. BE-ja propozon përfshirjen e 70 anijeve të tjera në listën e sanksioneve, si dhe ndalimin e hyrjes së cisternave ruse në portet evropiane.
Paketa parashikon gjithashtu kufizime për qytetarët evropianë që mbajnë poste të larta në kompanitë ruse, si dhe ndalimin e dhënies së vizave për shtetasit rusë që kanë marrë pjesë në luftën kundër Ukrainës.
Von der Leyen argumentoi se ish-luftëtarët rusë mund të përbëjnë rrezik për sigurinë e vendeve evropiane dhe se atyre nuk duhet t’u lejohet hyrja e lirë në territorin e Bashkimit Evropian.
Komisioni Evropian kërkon gjithashtu ndalimin e shfaqjes së simboleve ruse gjatë aktiviteteve sportive dhe kulturore në Evropë, duke synuar kufizimin e mëtejshëm të përfaqësimit të vendit në këto organizime.
Masat e reja vijnë pak më shumë se një muaj pas paketës së mëparshme të sanksioneve, përmes së cilës BE-ja vendosi në shënjestër afro 1,600 zyrtarë rusë dhe kompani të lidhura me industrinë e armëve, veçanërisht subjekte të dyshuara për prodhimin e pjesëve për dronë dhe raketa.
Që prej nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione ndaj më shumë se 4,700 individëve dhe subjekteve, mes tyre edhe presidentit rus Vladimir Putin dhe kompanive të ndryshme të sektorit energjetik.
