Një ngjarje e rëndë ndodhi orët e para pas mesnate në qytetin e Elbasanit.
U mësua se ndaj dy vëllezërve Baho u qëllua me armë zjarri. Për pasojë i vrarë ka mbetur 22-vjeçari Klevi Baho, i cili ishte dhe shënjestra e këtij atentati, ndërsa vëllai i tij Aldo Baho, 29 vjeç ka mbetur i plagosur me 3 plumba.
Detaje të reja janë zbuluar nga atentati i frikshëm.
Shënjestra ka qenë duke ecur anë rrugës Elbasan- Peqin, kur një person i maskuar i është afruar dhe e ka pyetur nëse ai ishte Klevi Baho. Pasi ky i fundit e ka mohuar, është larguar me shpejtësi dhe ka telefonuar të vëllanë Aldo Baho, i cili ka ardhur dhe e ka marrë me makinë.
Teksa ishin drejtuar për në banesën e tyre me automjetin tip “Audi” me targa AA 333 UZ, një makinë ishte vënë në ndjekje të vëllezërve në Broshkë dhe drejt tyre është qëlluar më shumë se 30 herë me breshëri automatiku.
Fillimisht 22-vjeçari mbeti i plagosur rëndë dhe u gjet në atë gjendje nga familjarët të cilët e transportuan për në spital, ku dhe ndërroi jetë. Vëllai i tij u gjet i plagosur në kokë, pak metra larg mjetit dhe mundi t’i mbijetojë plagëve të marra.
Mendohet se autorët kanë qenë dy dhe janë larguar nga vendngjarja pasi shtinë më breshëri.
Pista ku po hetohet është ajo e larjes së hesapeve pasi viktima ka qenë i dënuar më parë në Itali për drogw.
