Policia e Lezhës ka vënë në pranga tre persona për vepra të ndryshme penale. Një 20-vjeçari i është gjetur një sasi kanabisi në çantë, gjatë kontrollit të mjetit ku ai ishte pasagjer.
Ndërkohë që një 41-vjeçar është arrestuar pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.
Ndërkohë është arrestuar dhe një 18-vjeçar për aksidentin e një ditë më parë në Mirditë ku u plagosën tre persona.
NJOFTIMI
Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Vihen në pranga 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë në fushën e narkotikëve, arrestuan në flagrancë shtetasin M.Gj., 20 vjeç, banues në Kurbin.
Arrestimi i tij u bë pasi në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Shëngjinit “, Shëngjin, forca e posaçme “Shqiponja” gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin në të cilin ky shtetas ishte pasagjer, në çantën e tij ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa.
-Specialistët e Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin arrestuan në flagrancë shtetasin M.P., 41 vjeç, banues Fushë Mamurras, Kurbin pasi në banesë, ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, shtetases L.P.
-Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit F.M., 18 vjeç, banues në Mirditë, pasi në hyrje të Rrëshenit duke drejtuar automjetin tip “Audi” , ka humbur kontrollin duke goditur automjetin tip “Fiat” , ku për pasojë kanë marrë dëmtime shtetasit P.P., dhe L.P. dhe T.M.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.
