Një ditë pas zgjedhjeve lokale, që korrespondon edhe me një atentat me armë zjarri ndaj dy vëllezërve në Elbasan, njëri prej të cilëve mbeti i vrarë, Policia ka zhvilluar një operacion, duke zbuluar arsenal armësh.
Një njësi e repartit special RENA dhe policia lokale kanë zhvilluar kontrolle në të gjithë territorin e vendit, por në një magazinë në Papër të Elbasanit janë gjetur dhe sekuestruar disa armë zjarri. Burime të rezervuara nga Policia thanë se janë bllokuar 7 automatikë, 5 pistoleta, dylbi, fishekë dhe një automjet fuoristradë.
Megjithatë, për këtë operacion ende nuk ka një njoftim zyrtar nga Policia e Shtetit, që në rastin më të mirë mund të jenë ende në hetim e sipër për arrestimin e ndonjë të dyshuari. Deri tani, përveç armëve, që dyshohet se i përkasin një grupi kriminal, ende nuk ka asnjë person të ndaluar. Kjo mund të jetë arsyeja pse Policia ende nuk ka dhënë detaje rreth operacionit.
Të njëjtat burime thanë se armët e sekuestruara po ekzaminohen në Laboratorin e Kriminalistikës për gjurmë gishtash, por edhe po kryhet analiza balistike e tyre, pasi ka dyshime se mund të jenë përdorur edhe në ngjarje të tjera kriminale.
Ekzaminimi i tyre dhe provat që do përftohen në laborator pritet që të ndihmojë Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë në zbardhjen e krimeve të rënda që kanë ndodhur kohët e fundit në Elbasan. Magazina ku u gjetën dhe u sekuestruan armët e sofistikuara rezultojnë të jetë në pronësi të një shtetasi, i cili ka lidhje të afërta me një prokuror që ushtron detyrën në Prokurorinë e Elbasanit.
Megjithatë, nuk bëhen të ditura detaje të tjera nga ky operacion. Policia dhe forcat speciale u vunë në lëvizje menjëherë pas atentatit që ndodhi pak orë pasi ishin mbyllur qendrat e votimit. Atentati me 24 plumba ndaj dy vëllezërve Klevi dhe Aldo Baho, që ndodhi në fshatin Murras të Elbasanit, dyshohet se e ka origjinën nga jashtë kufijve të Shqipërisë.
Dy vëllezërit Baho janë të skeduar nga Policia italiane dhe ajo belge për vepra të ndryshme penale. Njëri prej tyre, Aldo Baho, i ka shpëtuar disa vite më parë një atentati në Itali, ku ka mbetur i plagosur. Për këtë ngjarje, në Itali janë arrestuar dy persona nga Lezha, të cilët janë dënuar me disa vite burg nga drejtësia italiane.
