Partia Socialiste ka vendosur të nisë procedurat për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i kreut të shtetit. Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie, Elisa Spiropali, ministrja e shtetit për Marrëdhwniet me Parlamentin, e ka quajtur akt brutal vendimin e Presidentit teksa tha se të enjten në seancë do të zhvillohet një debat i gjatë për këtë.
Ja çfarë tha Elisa Spiropali:
“Kryesia e PS ka diskutuar mbi aktin brutal të Ilir Metës mbi Republikën parlamentare të Shqipërisë. Kryesia e PS ka vendosur që të enjten në seancën plenare të zhvillojë një debat të gjatë parlamentar duke shtjelluar të gjithë argumentet se si Ilir Meta ka sulmuar brutalisht republikën dhe ka shpikur një institucion që nuk ekziston në asnjë vend të botës, në asnjë Kushtetutë dhe as më pak këtu, të quajtur çdekretim. Ky debat do të përmbledhë të gjithë argumentet tonë dhe patjetër që në fund do i takojë Kolegjit zgjedhor apo KQZ ta shqyrtojë nga pikëpamja juridike, por ne si Kryesi e PS mendojmë se Ilir meta e ka humbur të drejtën për të qëndruar në atë pozicion, dhe sigurisht Parlamenti i Shqipërisë do të fillojë procedurën e shkarkimit të Ilir Metës nga pozicioni i Presidentit të republikës”.
Kur do të nisë procedura?
Do të nisë menjëherë në seancën parlamentare të së enjtes ku të gjithë argumentet do të shtjellohen plotësisht dhe po ju them që është detyra jonë politike për të mbrojtur Kushtetutën dhe rendin kushtetues në vend dhe republikën parlamentare
Sigurisht do i takojë gjykatës Kushtetuese në fund, ashtu siç dhe ligji e parashikon, po kjo nuk na heq të drejtën ne për të filluar procesin e shkarkimit të Ilir Metës.
Çfarë do të ndodhë më 30 qershor?
Më 30 qershor do të ketë zgjedhje në republikën e Shqipërisë. Data është 30 qershor.
