Partia Lirisë akuzon kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, se nuk e ka mbajtur premtimin e vitit 2017, për ujë të pijshëm 24 orë. Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari, i cili mban edhe pozicionin e kryetarit të grupit të Këshilltarëve të Partisë së Lirisë në Bashkinë e Tiranës, akuzon Veliajn se pavarësisht rritjes së çmimit të ujit me 40% në kryeqytet, sërish ka mungesë të furnizimit me ujë.
“Erion Veliaj rriti me 40 % çmimin e ujit në vitin 2017, por Tirana vijon të përballet përditë në zona të ndryshme me mungesën e ujit të pijshëm. Megjithë propagandën e Erion Veliajt, për rritjen e orëve të furnizimit me ujë, ajo që hasin përditë qytetarët është mungesa e furnizimit. Tirana nga 12 orë ujë që furnizohej në 2017, aktualisht në disa zona furnizohet vetëm me 6 orë ujë në ditë”, tha Braimllari.
Ai tha edhe se UKT bën tenderë 10 milionë euro për kamera, shton numrin e punonjësve për efekt elektoral midis tyre dhe punësimet fiktive. Punonjës që marrin rrogën në UKT dhe jetojnë jashtë vendit. Braimllari garantoi se Këshilltarët e Partisë së Lirisë në Bashkinë e Tiranës do të vazhdojnë të kërkojnë transparencë për mungesën e ujit të pijshëm dhe mungesën e furnizimit me ujë 24-orë të banorëve të Tiranës.