Ish-shokët e luftës, të shpallur më vonë “armiq”, nuk duhet të figuronin më askund. Libra, fotografi…
Gjithçka e fshirë, e retushuar. Jo vetëm veprat e tyre personale, por edhe ato ku ata përmendeshin u “hodhën në zjarr”, ose u ribotuan me ndryshime, ndërsa imazhet e tyre u fshinë nga fotografitë.
Në historinë e diktaturës komuniste, të tilla gjenden me shumicë. Diktatori Enver Hoxha kujdesej të mos u linte nam e nishan “armiqve të popullit”. Nuk janë zhdukur vetëm imazhet e Koçi Xoxes, Mehmet Shehut, Tuk Jakovës, Kadri Hazbiut, Liri Gegës, Liri Belishovës etj., por mania e diktatorit shkonte deri te të afërmit e tij.
Ai do të zhdukte nga fotografitë edhe të motrën bashkë me nipin, për shkak të Bahri Omarit, kunatit që ai vetë e dënoi me vdekje. Studiuesi Kastriot Dervishi na sjell një numër të bollshëm fotografish për të kuptuar filozofinë e funksionimit të regjimit diktatorial.
I ka përmbledhur në një libër të titulluar “Histori të retushuara të komunizmit”, botuar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, promovuar më 20 shkurt, në ditën e përkujtimit të rrëzimit të statujës së diktatorit Enver Hoxha.
“Dukuria e censurës historike paraqitej në dy forma: në ndalesën e përgjithshme të shfaqjes së figurave historike (Mbreti Zog nuk njihej fare nga populli si portret), si dhe në botimin e fotove të retushuara, të cilat ndryshonin herë pas here. Në atë kohë nuk kishte programe të posaçme kompjuterike siç ka në ditët tona, por përdorej teknika e thjeshtë e prerjes me gërshërë, montimit dhe e rifotografimit. Duhej patjetër që udhëheqësi të ishte me ‘burra të mirë’ të çastit e jo me persona që partia i kishte shpallur ‘tradhtarë”, apo nuk i dëshironte”, sqaron autori i një albumi, ku për herë të parë botohen fotografi origjinale, të retushuara me urdhër nga “lart”.
1934/ Fotografia në Bari të Italisë, E. Hoxha heq nipin dhe motrën

“Sa herë që shkonte në Francë, Enver Hoxha ndalonte në Bari të Italisë, pranë kunatit. Fotoja origjinale e tregon me të motrën Fahrien dhe nipin e vogël. Kur doli libri “Vitet e rinisë”, nipi dhe motra kanë ‘fluturuar’ nga fotografia, ndërsa vendi i fotos paraqitet sikur është në Francë, në mënyrë që të jepet ideja e një studenti serioz atje.
Pas pushtimit fashist të 7 prillit 1939, Enver Hoxha shkoi e qëndroi 3 muaj në Itali, duke ndaluar për herë të fundit në shtëpinë e Bahri Omarit”, shkruan Dervishi. Gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Gjermania naziste, ky i fundit u bë ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e Rexhep Mitrovicës, 5 nëntor 1943-16 qershor 1944. Në vitin 1945, ai u arrestua dhe u dënua me vdekje nga Gjyqi Special.
1944/ Në Kongresin e Përmetit

1944/ “Martesa” e retushuar fotografike e E. Hoxhës me Nexhmijen

Fotografia e parë “zyrtare” e Enver Hoxhës me bashkëshorten e ardhshme Nexhmije Xhuglini daton në gusht 1944, gjatë një Kongresi në Helmës të Skraparit. Në një fotografi të shkrepur me këtë rast numëroheshin 8 persona, mes të cilëve edhe Hoxha e Xhuglini, në skaje të ndryshme të fotos. Sipas Kastriot Dervishit, në kohë të ndryshme kjo fotografi është botuar dy herë, një herë me 4 dhe një herë tjetër me vetëm 2 persona.

“Ata harronin se çfarë kishin botuar më parë. Nga origjinali janë hequr Koçi Xoxe, oficerë të huaj dhe partizanë shqiptarë. Në variantin e parë kanë ngelur Nako Spiru dhe Omer Nishani, ndërsa në variantin e fundit paraqiten Enver Hoxha dhe Nexhmije Xhuglini së bashku. Nëpërmjet këtij falsifikimi u arrit edhe “martesa” e parë fotografike e Enver dhe Nexhmije Hoxhës”, shkruan Dervishi.
1944/Hiqen ministrat e qeverisë

“Gjatë zhvillimit të mbledhjes së dytë të Beratit në tetor 1944, Komiteti i KANÇ-it u shndërrua në “qeveri demokratike”. Ky çast që tregon fillimin e rrugës së Enver Hoxhës si Kryeministër tregohet në këtë foto. Edhe kjo është përdorur në librin “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re”, Tiranë 1984. Nga fotoja është hequr ministri i Drejtësisë, Manol Konomi. Për arsye vendi nuk ka dalë as ministri i Punëve të Brendshme, Haxhi Lleshi”.
Panorama
