Kreu i Komanduar i Partisë Demokratike si dhe njëherësh kryetari i grupit parlamentar të kësaj partie, Enkelejd Alibeaj ka thirrur sot një mbledhje të kryesisë së PD-së.
Mësohet se në këtë mbledhje do të diskutohet mbi agjendën e grupit të PD-së, ndërsa në të marrin pjesë vetëm deputetët Oriola Pampuri dhe Arbi Agalliu, kurse Luçiano Boçi dhe Ervin Salianji mungojnë.
Ndarja e demokratëve që nisi me bojkotin e rreth 35 deputetëve të grupit parlamentar në Kuvendin e thirrur nga Komisioni i Rithemelimit ka nisur të reflektohet në të gjitha organet drejtuese të Partisë Demokratike. Kjo ndarje e grupit parlamentar vjen në një kohë që maxhoranca vazhdimisht i bën thirrje opozitës sa i takon negociatave për zgjedhjen e Presidentit të ri.
Alibeaj ka shprehur bindjen për përfshirjen në negociata me shumicën për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, madje bashkë me deputetët e grupit kanë propozuar dhe draftin si duhet të bëhet procesi i zgjedhjes së emrit të ri.
Nga ana tjetër Komisioni i Rithemelimit përmes Këshillit Kombëtar të PD vendosi përmes një rezolute kushte për shumicën për një proces serioz sa i takon zgjedhjes së kreut të ri të shtetit. Nga ky proces përjashtoi grupin e Alibeajt.
