Kreu i grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj bashkë me disa deputete të grupit të tij, ka kërkuar nga kryeministri Edi Rama, shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në 3 qarqet që janë prekur nga përmbytjet. Nga ana tjetër, nga deklarata për mediat nga kryesia e Kuvendit, Alibeaj bëri thirrje që të shmanget debati politik.
“Duke parë zhvillimet e këtyre ditëve një pjesë e deputetëve tanë të PD-së, kanë iniciuar një kërkesë drejtuar kryeministrit me të cilën kërkohet shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në këto 3 qarqe. Situata e 3 ditëve të fundit ka shkaktuar problematika në 3 qarqet, Shkodër, Durrës dhe Lezhë.
Ka dëmtuar të mbjella, pasuri natyrore por dhe humbje të jetëve. Nisur nga kjo kemi kërkuar me anë të kësaj kërkesë, për tu përmbushur kriteret ligjore për shpalljen e emergjencës. Kjo është një kërkesë juridike jo politike.
Kërkesa jonë i drejtohet kryeministrit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, është një këresë e bazuar në kushtetutë, legjislacion për një arsye të thjeshtë. E kuptoj që sa herë ka të tilla ngjarje politika vrapon tek to. Duam të kalojmë nga një situatë e debatit politik te një nivel i situatës ligjore”.