Close Menu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Sporti
  • Teknologji
  • Vendi Im
Facebook X (Twitter) Instagram
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise
Facebook X (Twitter) Instagram
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Sporti
  • Teknologji
  • Vendi Im
Abonohu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
Lajme

Alpinisti humbi jetën në Pukë, Dom Gjergj Meta: Alpet të vikatën fort e të thanë Ndoc

12:06 / January 2, 20225 Mins Read
Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Tumblr Email
Dom Gjergj Meta
Share
Facebook Twitter LinkedIn Pinterest Email

Dom Gjergj Meta ka bërë një dedikim prekës për ndarjen nga jeta në mënyrë tragjike të specialistit të turizmit Ndoc Mulaj në Pukë. Ipeshkëvi i Rrëshenit shkruan i pikëlluar për ndarjen nga jeta të Mulajt, mikut të tij me të cilin kishin vendosur të kryenin një udhëtim, i cili mbeti përgjysëm, duke mos u realizuar kurrë.

Nga Dom Gjergj Meta

Fjala e përcjelljes drejt prehjes së fundit… Me siguri ka shumë njerëz që do kishin dashtë me t’i thanë dy fjalë zemret. Ke pikëllue shumkënd me vdekjen tande. E nuk mund ta besojmë që ai trupi yt prej alpinisti tash nuk ka ma fuqi me u çue me i dhanë përgjigje tan këtyne njerëzve që kanë ardhë sot këtu. Nuk e kishe zakon mos me I prit në kambë miqt. E sot janë shumë o Ndoc Mulaj prej gjithkahit që janë trishtue fort për ikjen tande kaq të papritun. E çka me ba tash? Për ty sot kena heshtje e lot, por edhe fjalë, kujtime e takime. Sot këtu ke prej Nikaj Mërturi, prej Dukagjini, prej Puke e prej Mirdite, prej Malësisë së Madhe, Prej Zadrime, prej Jugut e prej Veriu. Ishe i dashtun shumë more Ndoc me buzqeshjen tande, me fjalët e tua që ishin plot humor, por edhe fjalë që kur zenin vend nuk luenin ma prej vendit. Kështu janë burrat e kështu janë fjalët e burrave.

Shpresova deri në fund se do t’ia dalësh, por kur mora vesh se ishe nisë përtej reve e përtej majave, drejt amshimit, m’u përfytyrue maja e Kryqit në Munellë, maja e Zepës dhe e Jezercës, majat e Shalës e të Dukagjinit, të Nikajve e të Mërturit, Rugova e plot maja të tjera që të mblidhen përreth e si dikur burrat e malsisë së Dukagjinit vikasin me të madhe: “I mjeri unë për ty o vllau jem!”. Asht gjama që u bahet burrave Ndoc e ti e din fort mirë këtë gja.

Ti nuk ishe një alpinist që thjesht njeh fshetësitë e maleve. Jo! Ti ishe vetë mal. Ti e alpet ishit nji gja e vetme o Ndoci i Alpeve. Sa hërë u ke folë e sa herë të janë gjegjë. E ato alpe këtë fundviti 2021 të vikatën fort e të thanë: “Sonte Ndoc nuk të lamë me ik. Ke me bujtë këtu përgjithmonë”.

Nuk e bamë kurrë udhëtimin që patëm vendos bashkë. Të pata thanë që nuk jam mësue me ec maleve në kambë e m’u përgjigje: “Pa merak Dom Gjergj se me mue nuk mbetet kush në mal. Veç banu gati. Shkruej llastikët – thonë andej nga ne”. Vërtet kush erdhi me ty nuk mbeti në mal, por këtë fundviti ti nuk u ktheve ma prej Malit.

Burra si ti i bajnë dobi këtij vendi e ti na tregove se asht e mundun me ndejt këtu në këtë vend, me e dashtë e me promovue, e mos me e lanë jetim. Çdo foto, çdo cicërime e jotja në rrjetet sociale, bisedat me ty, banin gjithkend me mendue se sa të bukura janë alpet, se sa i bukur është vendi ynë. Po! Ti na mësove të bukurën Ndoc, atë të bukur që shpesh na e zhyejmë me mediokritetin tonë, me babëzinë e një shoqërie që rend drejt përfitimit, drejt shkatërrimit të së bukurës me mure e çemento, me qiellgëvishtëse e me qëndra tregtare. Ti na mësove se jetohet në harmoni me veten dhe me të tjerët edhe duke përshku malet e duke dashtë natyrën. Kur Zoti e krijoi njeriun, i dha atij tokën me e rujt e jo me e shkatërrue, me u kujdes për të e jo me e kthy në një shkrëtinë. Ty të dhimbej çdo pemë e çdo kafshë e egër. E ti këtë amanet të Hyjit e plotësove çdo ditë të jetës tande e kështu unë të përfytyroj tash përballë Hyjit e më gjëmojnë në vësh fjalët e Tij që thotë: “Eja në luminën e Hyjit tand Ndoc, sepse ti e deshte natyrën, malet e alpet që unë i krijova.” Po, sepse natyra asht ai tempull i madh ku Zoti na ka vendosë e prej nga kemi mundësi me i dhanë lavdi atij. Kush ma shumë se ti ishte afër Tij kur u afroheshe majave e reve. Tash i kalove retë, i kalove majat e u nise për kah amshimi. Pushofsh në paqe Ndoc i dashtun. Krishti të pastë në parriz!

Alpinisti 60-vjeçar Ndoc Mula, specialist i turizmit në Shqipëri ra në greminë në Pukë duke ndërruar jetë. Mula shoqëronte gazetarin Alfred Lela së bashku me 3 persona të tjerë: operatori Gisel Dollani, përfaqësues i shoqatës për Mbrojtjen e Rreqebullit të Ballkanit Ilir Shyti dhe Dorian Malaj për të realizuar reportazhin, në datën 30 dhjetor. Era e fortë dhe dëbora e madhe bëri që Lela, Sula dhe Mulaj të rrëshqisnin. Gazetari u mbajt nga një trung peme, ndërsa Sula dhe alpinisti Mulaj ranë në humnerë, duke shkaktuar vdekjen e 60-vjeçarit.

Dom Gjergj meta Pukë
Share. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Tumblr Email

Postime te ngjashme

“Shpresojmë që shumë shpejt ta shohim Papën në Shqipëri”, Dom Gjergj Meta uron kreun e ri të Kishës Katolike

20:01 / May 8, 2025

Ndalohet sulmi me bombë në koncertin me 2.1 milionë persona të Lady Gaga-s

19:33 / May 4, 2025

Një ftesë për lutje nga kardinalët që do të zgjedhin Papën e ri

18:11 / April 30, 2025

Inskenoi vdekjen në Pukë, ministri italian miraton ekstradimin e biznesmenit

14:24 / March 31, 2025
Add A Comment
Leave A Reply Cancel Reply

© 2025 TiranaNews. Te gjitha te drejtat e rezervuara.
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise

Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.