Ish-Sekretari i Partisë Demokratike, Arben Ristani ka sulmuar ditën e sotme kreun e PD-së, Lulzim Basha, duke u shprehur se ky i fundit nuk është një lider, pasi i mungojnë të gjitha cilësitë e liderit.
Sipas Ristanit, Basha e ka çuar PD-në nga humbja në humbje me sjelljet e tij duke mos pyetur për statutin e partisë, gjë të cilën bëri dhe me vendimin për përjashtimin e ish-Kryeministrit Sali Berisha nga grupi i PD-së.
Ristani ka treguar dhe një bisedë me një mikun e tij demokrat që i kishte thënë se 12 vite në opozitë janë 12 vite pa punë, pra një e zezë kjo që demokratëve i ka ardhur nga vetë Lulzim Basha.
“Opozita nuk ka lider. Z.Basha nuk është lider. Po ta shihni i mungojnë të gjithë elementët e lidershipit. E ka ccuar PD nga humbja në humbje. I konsiderohet si element lidershipi vetëm vendimarrja e fundit, që për dy arsye nuk është vendimmarrje. Basha mori një vendim që sipas statutit të PD nuk është kompetencë e tij për ta marrë. Së dyti termi përjashtimi nga grupi parlamentar është nul për aq kohë sa Berisha është i zgjedhur nga lista e PD-së dhe kur të deklarohet kujt grupi i përket. Nëse ai deklaron në parlament se është pjesë e grupit të PD-së, atëherë termi është nul. Ajo që ngelet në thelb është kriza e lidershipit të PD. Kemi aq kohë që themi se Basha nuk pyert për statut dhe më në fund Berisha që e kishte mbështetur prej kohësh erdhi te këto teza që ne i kemi thënë prej kohësh. Sot anëtarët e PD-së janë në një moment shumë të vështirë sepse do të vuajnë një opozitë tretë. Më thoshte një mik im anëtar i PD-së, 12 vjet opozitë janë 12 vjet pa punë dhe 12 vjet pa punë janë 1/3 e kohës së punës për një njeri. 12 vjet pa punë është shumë e rëndë dhe këtë të zezë ia ka bërë Basha demokratëve. Shtohet dhe një krizë lidershipi. Me këtë që bëri Basha është 100% i pashpresë për të ardhur në pushtet. E vetmja e zgjidhje është zgjidhja e krizës së lidershipit“, u shpreh Ristani.
Përjashtimi i Berishës nga grupi i PD-së për Ristanin është një vendim i gabuar nga Basha. Pavarësisht se ky i fundit është shprehur se nuk kishte zgjidhje tjetër, Arben Ristani thotë se Basha duhet ta hidhte për diskutim dhe të vendoste shumica e demokratëve.
