Javë e errët për gjykimin në Kategorinë Superi ore. Ata që bëhen protagonistë negativë janë pikërisht dy arbitrat me stemën e FIFAs, Eldorian Hamiti dhe Juxhin Xhaja.

Të parit i doli nga kontrolli ndeshja Partizani-Teuta 1-1, ndërsa i dyti nuk reagonte as ndaj ndërhyrjeve horror në Laçi-Bylisi 0-0. Në tri ndeshjet e tjera pati vendime të drejta, me gjyqtarët që u bënë më pak protagonistë.

PARTIZANI-TEUTA 1-1

Gjyqtarë: E.Hamiti (kryesor), R.Çokaj dhe M.Shazivari (anësorë), K.Bajramaj dhe L.Alla (pas portave); Partizani-Teuta u vlerësua si kryendeshja e javës, pasi sektori i arbitrimit në FSHF kishte vendosur gjashtë gjyqtarë. Kryesor ishte arbitri i Kolegjiumit të Lezhës, Eldorian Hamiti, i cili bëri gabime të dukshme në këtë përballje në dëm të të dyja skuadrave.

Gabimi kryesor i Hamitit, që më pas ndikoi në performancën e tij, pasi i doli situata nga kontrolli, u regjistrua në minutën e 39-të. Gjyqtari kurseu kartonin e dytë të verdhë për Lorenco Vilën e Teutës, i cili ndaloi Melon që po shkonte drejt portës. Ndërkohë, 4 minuta më parë ai e kishte lënë Partizanin me 10 vetë, pas dy kartonëve të verdhë të dhënë ndaj Arsitoteles Romeros. Nëse për dy ndërhyrjet e venezuelianit ndaj Çyrbes dhe Avdylit janë në limitin e të verdhit dhe Hamiti veproi drejt në këtë rast, ai katranosi gjithçka me Lorenco Vilën, ku nuk mbajti të njëjtin standard, teksa të dyja ekipet do të mbeteshin me nga një lojtar më pak.

Në minutën e 65- të kemi një tjetër gabim të Hamitit, këtë herë në dëm të Teutës. Ai ndëshkon Melon me karton të verdhë, por ndërhyrja e brazilianit ndaj Rustem Hoxhës ishte e ashpër, madje në pjesën e gjurit dhe duhej ndëshkuar me të kuq.

Në minutën e 24-t ka një pretendim për penallti nga ana e Partizanit, pasi Aleksi prek topin me dorë në zonë. Gjyqtari Hamiti nuk e merr në konsideratë dhe vijon lojën. Një moment i diskutueshëm. Edhe në pjesën e dytë ka një pretendim për një penallti për Teutën, pasi topi prek dorën e Boldorit, por edhe këtë rast Hamiti e konsideron jo 11-metërsh.

LAÇI-BYLISI 0-0

Gjyqtarë: J.Xhaja, D.Myftaraj, D.Agaraj (Tiranë);

Juxhin Xhaja bën “masakër” në Laç, duke falur dy kartonë të kuq për Nuabuezen dhe Fangajn e kurbinasve, ndërsa i mohon një penallti Bylisit. Fillimisht në minutën e parë, Laçi pretendon për penallti, pas një kontakti të Xhixhës me Jankun. Gjyqtari vijon lojën, ndërsa pamjet filmike tregojnë se kemi të bëjmë me simulim të sulmuesit.

Në minutën e 50-të, kërkohet penallti nga Bylisi për një shtyrje të Qardakut në zonë nga Fangaj. Kemi të bëjmë me një faull që duhej akorduar, paçka se sulmuesi i Bylisit po dilte nga zona. Nëse Xhaja do të zbatonte rregulloren, atëherë do të akordonte penallti për ballshiotët.

Ndërsa në minutën e 75-të, mungon një karton i kuq ndaj Fangajt, që godet me takë në kavilje Vailant Mbobien. Xhaja i jep vetëm të verdhë mbrojtësit.

Në minutën e 84-t, Xhaja nxjerr me të kuqe Bicajn pas dy kartonëve të verdhë për ndërhyrje ndaj Nuabuezes. Vendime të drejta të kryesorit, por përpara se Bicaj të dilte me të kuq, ishte Nuabueze që duhet të ndëshkohej për një goditje me bërryl ndaj lezhjanit. Bëhet fjalë për një aksion ku sulmuesi hapi dorën në rënie dhe goditi Bicajn, por u fal nga Xhaja. Ndërsa më pas, nuk kaluan shumë minuta dhe Bicaj shkaktoi faull ndaj afrikanit.

KUKËSI-VLLAZNIA 1-2

Gjyqtarë: K.Kola, R.Avdo (Tiranë), E.Malo (Lushnjë);

Kukësi-Vllaznia ishte një ndeshje e luftuar dhe me raste, e megjithatë në kompleks gjykimi ishte brenda normave. Vetëm një moment mund të quhet i diskutueshëm nga kjo përballje, që përkon me minutën e 88-të. Një top i gjatë nga e majta përfundon në zonë drejt dhe Godfrej teksa po mbulonte Abazajn e shtyn lehtë me shpatull. Lojtari i Kukësit bie në tokë dhe pretendon 11- metërsh, por kryesori vijoi lojën, duke vepruar drejt. Vllaznia pati pretendime për golin e Kukësit, në momentin e pasimit tek Abazaj nga Kitanovski, por anësori Avdo ka vepruar drejt në këtë rast. Abazaj mbahej në lojë nga mbrojtësi Shehi.

SKËNDERBEU-LUFTËTARI 2-0

Gjyqtarë: E.Sino, O.Grabova (Fier), H.Lisaku (Durrës);

Në minutën e 92-të, Krasniqi merr bukur krahun e majtë e më pas futet në zonë, aty ku Isufi i sapofutur shkakton penallti. Vendim i drejtë i gjyqtarit Emirjon Sino, pasi kemi ndërhyrje të parregullt.

FLAMURTARI-TIRANA 2-2

Gjyqtarë: B.Ziri, E.Veseli, E.Burgu (Fushë-Krujë); Gjithçka OK për treshen nga Fushë-Kruja në ndeshjen e Vlorës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here