Gazetari Artan Hoxha thotë se janë me zë e figurë ata që janë kundër reformës në drejtësi dhe se sipas tij, SHBA do i marrë para.
Në një intervistë dhënë për MAPO, Hoxha thotë se reforma ka pasur suksese të mëdha, pasi janë larguar nga sistemi gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar e më lidhje politike, që deri një vit më parë as që mund të mendohej.
“Për fat të mirë ne tashmë e shohim qartë se kush është kundër reformës, pasi kundërshtarët kanë dalë haptazi prej kohësh me zë e figurë. Ata e kanë bllokuar, zvarritur, penguar, baltosur, bërë pis sa kanë mundur procesin për t’i shpëtuar ndëshkimit. Por treni që sapo është nisur me timonier aleatët më të mëdhenj të Shqipërisë, SHBA dhe BE, rrezikon të marrë përpara këdo që e gënjen mendja se mund të sabotojë këtë proces. Sigurisht që nuk ka asgjë perfekte dhe as ky proces nuk mund të shpëtojë pa patur defekte. Vetëm fakti që është unik në botë ky lloj procesi, e bën të paparashikueshëm. Por rezultatet e deritanishme kanë qenë mjaft shpresëdhënëse”, është shprehur Hoxha.
Ai shton se tentativa për të njollosur këtë reformë krijoi mjegull te qytetarët po vetmë për pak kohë. “Kjo reformë ka një garant, aleatin më të madh të shqiptarëve, SHBA-në. Dhe SHBA ka dëshmuar qartësisht, me forcë në më shumë se njëherë, se është e vendosur t’i shkojë deri në fund këtij procesi. Historia 107-vjeçare e ekzistencës së shtetit shqiptar ka treguar se SHBA nuk i kanë lënë kurrë në baltë shqiptarët”, vijoi ai.
