Klarita Ismalaja,l 45-vjeçarja që u vra dje nga bashkëshorti i saj do të përcillet sot për në banesën e fundit. Të afërmit e saj janë të shokuar nga kjo varje e të të shtrenjtës së tyre.
Të tronditur nga ngjarja, një e afërme jashtë kamerave e ka cilësuar autorin, Artan Ismalaja si vrasës gjakftohtë. Sipas saj ata nuk kanë pasur probleme dhe se ai e quante gjithnjë si princeshën e tij.
E afërmja po ashtu përjashton xhelozinë si motiv të vrasjes. Ajo thotë se më 3 korrik Klarita ka festuar ditëlindjen dhe të nesërmen kanë qenë në plazh së bashku.
“Nuk ishte rrugaç. Ai u bë një vrasës gjakftohtë me princeshën e vet sepse atë e ka quajtur gjithmonë princeshë. Nuk kanë pasur debate. Më rehat se këta nuk ka pasur të tjerë. Nuk ka qenë xhelozi. Ditëlindja e saj ka qenë me 3 korrik. Kanë festuar një ditëlindje të mrekullueshme. Të nesërmen kanë shkuar në plazh. Ndoshta kanë mbajtur kujtimet më të bukura të jetës së vet. të nesërmen në orën 10:00 jemi shokuar të gjithë,” shprehet e afërmja për ABC.
Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e djeshme, pranë një magazine të Bubqit. Çifti jetonte prej vitesh në Tiranë, ndërsa Artani zotëron një servis kamerash dhe kompjuterësh tek ish-stacioni i trenit në kryeqytet.
51-vjeçari ka goditur me thikë gruan brenda automjetit të tyre dhe më pas tentoi vetëvrasjen, duke goditur veten. Ka qenë roja i biznesit që ju afrua makinës dhe pikasi trupat e tyre të mbuluar me gjak. Artan Ismalaja u transportua në gjendje të rëndë për mjekim më të specializuar në kryeqytet.
Mbetet e paqartë se përse Artani dhe Klarita udhëtuan nga Tirana drejt Bubqit. Për të shmangur dëshmitarët, Artan e ka futur makinën në një zonë të vështirë në fshatin Bubq për të ndaluar brenda një muri rrethues, që i përket një fasonerie.
