Një 36-vjeçar shqiptar ka mbetur i plagosur rëndë nga të shtënat me armë zjarri në zonën e Kolonos, në Athinë.
Ngjarja ndodhi të premten në mbrëmje, më 6 nëntor, në një shesh pranë një kishe, ndërsa policia greke ka shoqëruar dy persona në lidhje me incidentin.
Sipas mediave greke, sulmi ndodhi rreth orës 20:30, në zonën e rrugës Lenormand. Pas të shtënave, 36-vjeçari ka vrapuar drejt automjetit të tij, të parkuar rreth 150 metra larg vendit ku u qëllua.
Banorët e zonës njoftuan policinë, e cila, pas mbërritjes, e gjeti shqiptarin brenda makinës, me plagë në pjesën e barkut. Ai u transportua me ambulancë në spitalin Attikon, ku u shtrua në gjendje të rëndë. Në vendngjarje u gjetën edhe dy gëzhoja.
Dy persona janë shoqëruar nga autoritetet greke dhe po merren në pyetje për të sqaruar nëse kanë lidhje me sulmin. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Dyshimet për lidhje me trafikun e kokainës
Sipas një raportimi të mëvonshëm të HuffPost Greece, 36-vjeçari rezulton të ketë precedentë penalë në fushën e narkotikëve dhe dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi që merrej me trafikun e kokainës.
Grupi në fjalë ishte goditur nga Drejtoria e Sigurisë së Athinës në qershor, kur u arrestuan nëntë persona.
Megjithatë, shqiptari kishte arritur t’u shpëtonte autoriteteve në atë kohë.
Për shkak të së kaluarës së tij, policia greke nuk përjashton mundësinë që atentati të ketë lidhje me trafikun e drogës. Deri më tani, ky mbetet një nga motivet që po shqyrtohen nga hetuesit dhe nuk është konfirmuar zyrtarisht.
