Prokuroria e Posaçme AntiKorrupsion ka çuar për gjykim 16 persona të akuzuar si pjesë e një organizate kriminale ndërkombëtare që dyshohet se ka trafikuar mbi 60 tonë kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës, ndërsa ka sekuestruar pasuri me vlerë rreth 9.2 milionë euro.
Sipas hetimeve, Franc Çopja dhe Ervis Çela dyshohet se ishin drejtuesit kryesorë të organizatës, e cila ka vepruar përgjatë viteve 2019-2021, në bashkëpunim me grupe kriminale në Paraguaj dhe Brazil.
Ajo kishte një strukturë tejet të organizuar, ku secili prej personave të përfshirë kishte detyra të caktuara, nga sigurimi i kokainës në vendet e origjinës deri te transportimi, shpërndarja dhe shitja e saj në tregjet europiane.
Rrjeti dyshohet se vepronte në disa shtete, përfshirë Gjermaninë, Spanjën, Belgjikën, Holandën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Italinë. Për organizimin e aktivitetit, personat e përfshirë përdornin edhe platformat e enkriptuara SkyECC dhe EncroChat, ku, sipas hetuesve, diskutonin për sasitë e drogës, transportin dhe lëvizjen e parave.
Nga komunikimet e zbërthyera janë identifikuar edhe biseda dhe fotografi që lidhen me fshehjen e kokainës në ngarkesa me produkte të ligjshme, të eksportuara nga Paraguaji drejt Europës. Ndërsa për transferimin e parave të përfituara nga aktiviteti i dyshuar kriminal përdorej sistemi informal Hawala dhe kode identifikuese të njohura si “token”.
Njëri siguronte kokainën, tjetri e shpërndante në Europë
Ervis Çela dyshohet se ishte përgjegjës për sigurimin e drogës në vendet e origjinës, kryesisht në Amerikën Latine. Ai merrej me kontaktet me furnizuesit, negocimin e çmimeve dhe cilësisë së kokainës, financimin e blerjes dhe organizimin e transportit nga Bolivia drejt Paraguajit.
Sipas SPAK, ai ishte i përfshirë edhe në grumbullimin, magazinimin dhe përgatitjen e ngarkesave për t’u nisur drejt Europës.
Nga ana tjetër, Franc Çopja kishte në fokus financimin dhe organizimin e transportit ndërkombëtar, si dhe shpërndarjen e kokainës në Europë. Sipas hetimeve, ai koordinonte kompanitë që porosisnin mallra të ligjshme, të cilat përdoreshin për të fshehur drogën në kontejnerë. Gjithashtu, dyshohet se organizonte nxjerrjen e ngarkesave nga portet europiane, veçanërisht ai i Anversës në Belgjikë, si dhe shitjen e kokainës në tregjet europiane.
Stuko, bojëra dhe kontejnerë
SPAK thotë se në komunikimet e zbërthyera, laboratorët ku prodhohej kokaina në zonën e Andeve, veçanërisht në Bolivi, përmendeshin me termin “kuzhina”.
Pasi sigurohej nga furnizuesit, droga transportohej drejt Paraguajit, ku grumbullohej dhe përgatitej për eksport. Për këtë qëllim përdoreshin edhe avionë të vegjël, të cilët kryenin transportin nga Bolivia drejt zonave rurale të Paraguajit. Në komunikimet e analizuara përmenden ngarkesa deri në 500 kilogramë kokainë, të cilat më pas transferoheshin në kamionë për t’u dërguar drejt pikave të magazinimit dhe përgatitjes për eksport.
Për të fshehur drogën gjatë transportit ndërkombëtar, sipas SPAK, përdoreshin edhe kompani tregtare në pronësi të një shtetasi paraguajan. Kokaina fshihej në ngarkesa me produkte të ligjshme, si stuko patinimi, bojëra dhe materiale të tjera industriale. Në këtë mënyrë, kontejnerët paraqiteshin si eksporte të zakonshme tregtare.
Paguhej ryshfet për çdo kilogram kokainë
Sipas hetimeve, për çdo kilogram kokainë paguheshin rreth 4.100–4.200 dollarë, shumë që përfshinte edhe transportin deri në portin e Villetës në Paraguaj. Për ngarkimin e drogës në anije paguheshin edhe 1.300 dollarë të tjerë për kilogram, të cilat, sipas SPAK, shkonin për ryshfet.
Nga porti i Villetës, ngarkesat niseshin përmes rrugëve ujore të lumenjve Paraguaj dhe Paraná drejt portit të Buenos Airesit në Argjentinë. Aty, kontejnerët ngarkoheshin në anije të mëdha tregtare, të cilat vijonin udhëtimin drejt Europës.
Ndër destinacionet e identifikuara nga hetuesit ishin portet e Hamburgut në Gjermani, Anversës në Belgjikë, Barcelonës në Spanjë dhe Roterdamit në Holandë.
Një nga elementet e skemës ishte ndryshimi i destinacionit të kontejnerëve gjatë udhëtimit drejt Europës. Sipas SPAK, kjo bëhej për t’i orientuar ngarkesat drejt porteve ku ishin krijuar kushtet për nxjerrjen e kokainës.
Kontaktet në portin e Anversës
Një pjesë e rëndësishme e hetimeve lidhet me mënyrën se si organizohej nxjerrja e kokainës nga portet europiane. Në këtë fazë, sipas SPAK, Franc Çopja kishte një rol të veçantë, për shkak të kontakteve që dyshohet se kishte krijuar me persona të lidhur me strukturat doganore dhe të sigurisë në portin e Anversës, përfshirë punonjës që operonin skanerët e kontrollit të kontejnerëve.
Sipas hetimeve, për nxjerrjen e drogës nevojitej bashkëpunimi i personave që kishin informacion mbi lëvizjen e kontejnerëve dhe që mundësonin kalimin e tyre përmes kontrolleve portuale.
SPAK thotë se kostoja për nxjerrjen e kokainës nga porti arrinte në 15 për qind të sasisë së ngarkesës. Pagesa bëhej zakonisht në natyrë, duke dorëzuar një pjesë të vetë kokainës.
Holanda, qendra e magazinimit dhe shpërndarjes
Pasi nxirrej nga portet europiane, kokaina dërgohej kryesisht drejt Holandës, e cila, sipas SPAK, shërbente si një nga qendrat kryesore të magazinimit dhe shpërndarjes me shumicë.
Në këtë fazë, Franc Çopja dyshohet se koordinonte sasitë që do të shiteshin, përcaktonte çmimet, organizonte paketimin dhe transportin drejt vendeve të tjera të Bashkimit Europian. Ai ishte gjithashtu i përfshirë në administrimin e pagesave dhe ndarjen e fitimeve mes personave të përfshirë në aktivitetin kriminal.
Po paratë si transferoheshin?
Një tjetër element i rëndësishëm i organizatës ishte mënyra se si qarkullonin paratë e përfituara nga trafiku i drogës.
Sipas SPAK, në vend të transfertave të zakonshme bankare, përdorej sistemi informal i njohur si Hawala. Ky mekanizëm mundëson transferimin e parave përmes një rrjeti ndërmjetësish në vende të ndryshme, pa qenë e nevojshme lëvizja fizike e shumave monetare.
Në komunikimet e zbërthyera përmendet edhe përdorimi i kodeve identifikuese, të njohura si “token”, të cilat shërbenin për të verifikuar dorëzimin dhe marrjen e parave. Në këtë rrjet përmenden si pika tranziti ose destinacioni Paraguaji, Bolivia, Brazili, Shqipëria, Turqia dhe Dubai.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
