Shkon në shtatë numri i të arrestuarve për ngjarjen në maj në lagjen “Uji i ftohtë” në Vlorë, ku mbeti i plagosur një 63-vjeçar.
Sipas policisë një person është arrestuar në Vlorë dhe dy të tjerë në Itali, teksa një tjetër është shpallur në kërkim.
Në sajë të operacionit të koduar “Gjurmimi” në Vlorë është vënë në pranga Xh. M., 36 vjeç,për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Përkrahja e autorit të krimit” .
Ndërsa në Itali janë arrestuar I. M., 31 vjeç dhe G. D. (Z.), 42 vjeç, të akuzuar për “Vrasja në rrethana cilësuese” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Lexo edhe- Atentati në Vlorë, djali i biznesmenit i shpëton për herë të dytë vrasjes
NJOFTIMI I PLOTE
Vlorë
Vijon operacioni policor i koduar “Gjurmimi”.
Operacioni në Vlorë dhe në Itali.
Shkon në 7 numri i personave të arrestuar.
Gjatë vijimit të operacionit janë kapur dhe arrestuar 3 presona.
Dy prej tyre janë kapur në Itali dhe një është kapur në Vlorë.
Në vijim të punës intensive për zbardhjen e ngjarjeve kriminale kundër personit, të ndodhura më parë, Seksioni për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale Tiranë dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Vlorë ka bërë dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur në maj të vitit 2019, në lagjen “Ujë i Ftohtë”, ku persona të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri në drejtim të tre shtetasve në një lokal dhe si pasojë mbeti i plagosur aksidentalisht 63-vjeçari D. C.
Në këtë kuadër gjatë orëve të fundit ka vijuar operacioni policor i koduar “Gjurmimi”, në Vlorë dhe në Itali.
Në Vlorë, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në DVP Vlorë është bërë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit Xh. M., 36 vjeç, lindur e banues në Vlorë, për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Përkrahja e autorit të krimit” .
Operacioni ka vijuar në Itali, ku si rezultat i shkëmbimit të informacioneve mes Interpol Tirana dhe Interpol Roma, bashkëpunimit të shkëlqyer mes Zyrave Ndërlidhëse të Policisë shqiptare në Bari e Romë në Itali dhe të Policisë italiane në Tiranë, me angazhimin e Skuadra Mobile në Romë është bërë e mundur kapja e dy personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në afërsi të Romës, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë dhe konkretisht:
I. M., 31 vjeç dhe G. D. (Z.), 42 vjeç, të dy banues në Vlorë;
Gjithashtu është bërë shpallja në kërkim e shtetasit F. H. dhe vijon puna për kapjen e tij.
Ndaj shtetasve I. M., G. D. dhe F. H., Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Në lidhje me këtë ngjarje, më datë 14.11.2019 janë arrestuar edhe 4 shtetas, ndërsa 1 tjetër është proceduar në gjendje të lirë.
Materialet iu referuan Prokurorisë, në ngarkim të shtetasve I. M dhe G. D, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim, “Armëmbajtja pa Leje” dhe në ngarkim të shtetasit Xh. M, për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Përkrahja e autorit të krimit” .
